“Hasen ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Jezidi, e ky nga Habibi, e ky nga Atai se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Hymë në ihram për haxh me të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe në Mekë arritëm pas ditës së katërt të muajit dhul hixhe. Pejgamberi ﷺ na urdhëroi të bëjmë tavaf rreth Qabesë dhe të ecim mes Safasë dhe Mervës. Kështu, këtë ta llogarisnim umre dhe të lirohemi (prej ihramit), përveç atij që ka kurbanin me vete. Asnjëri prej nesh nuk kishte me vete kurban, përveç Pejgamberit ﷺ dhe Talhait. Më vonë, Aliu erdhi prej Jemenit, i cili kurbanet i kishte me vete dhe tha: “Unë kam hyrë në ihram, siç ka hyrë i Dërguari i Allahut ﷺ.” Të pranishmit thanë: “Të nisemi për në Mina, ndërkohë kemi bërë marrëdhënie me gratë?!” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Sikur të mund të kthehesha mbrapa, nuk do ta merrja kurbanin me vete. Sikur të mos e kisha kurbanin me vete, do të lirohesha (prej ihramit) .” Suraka e takoi Pejgamberin ﷺ në xhemrën Akabe, teksa i hidhte guralecët dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, a vlen kjo vetëm për ne në veçanti (shndërrimi i haxhit kiran në temetu apo kryerja e umrës në muajt e haxhit)?” - “Jo, por përgjithmonë” , - tha ai. Ndërkohë, Aishen, e cila në Mekë kishte arritur duke qenë në periudhën menstruale, Pejgamberi ﷺ e urdhëroi t'i kryejë të gjitha ritet, përveç tavafit rreth Qabesë dhe namazit, derisa të pastrohet. Kur shkuan në Bat'ha, Aishja tha: “O i Dërguari i Allahut!, a po ktheheni me haxh dhe umre, kurse unë vetëm me haxh?” Kështu, Pejgamberi ﷺ e urdhëroi Abdurrahmanin, të birin e Ebu Bekër Sidikut, për ta çuar atë në Tenëim. Pra, ajo bëri umre në muajin dhul hixhe, pas haxhit.””