“Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Vekiu, e ky nga Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në Medinë, u fal në drejtim të xhamisë së Kudsit për gjashtëmbëdhjetë-shtatëmbëdhjetë muaj rresht. Ai kishte dëshirë të drejtohej nga Qabeja, andaj Allahu ﷻ zbriti ajetin: “Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli, andaj Ne do të të drejtojmë nga kibla që ti e do...” (Bekare, 144) Dhe kështu u drejtua nga Qabeja. Atë ditë, një burrë e fali ikindinë së bashku me Pejgamberin ﷺ dhe doli (prej xhamisë), ku kaloi pranë një grupi ensarësh (që po faleshin) dhe u tregoi duke dëshmuar se ishte falur me Pejgamberin ﷺ, i cili ishte kthyer nga Qabeja. Kështu edhe ata u kthyen nga Qabeja teksa ishin në ruku, në namazin e ikindisë.””