“Ismaili më ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Ujejne ibn Hisën ibn Hudhejfe ibn Bedriu erdhi dhe u vendos te djali i vëllait të tij, Hurr ibn Kajs ibn Hisni, i cili ishte në radhët e personave që Omeri i mbante afër. Në mesin e personave që rrinin në ndejat e Omerit, me të cilët ai këshillohej, kishte të moshuar dhe të rinj. Ujejne i tha djalit të vëllait të vet: “O biri i vëllait tim, a ke afërsi me këtë prijës, që të kërkosh leje për mua të shkoj tek ai?” - Do të marr leje për ty, - i tha ai. Kështu, Hurri kërkoi leje për Ujejnen. Me të hyrë brenda, Ujejne tha: “O Ibn Hatab! Betohem në Allahun se nuk po na jep mjaftueshëm dhe nuk po gjykon drejt mes nesh.” Si rrjedhojë, Omeri u zemërua, saqë deshi ta godasë. Por, Hurri ndërhyri duke thënë: “O prijësi i besimtarëve, Allahu i Lartësuar e porositi të Dërguarin e Tij: “Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!” (Araf, 199) Ky këtu është nga të paditurit. Betohem në Allahun se, kur ia lexoi ajetin, Omeri nuk vazhdoi më tutje. Shumë e përmbante veten përballë Librit të Allahut.””