“Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Asim Ahveli, e ky nga Ebu Othman Nehdiu se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa ishim me Pejgamberin ﷺ, erdhi lajmëtari i njërës prej bijave të tij për ta thirrur që ta shohë të birin e saj i cili ishte në prag të vdekjes. Pejgamberi ﷺ tha: “Shko dhe thuaji se Allahut i takon ajo që ka marrë dhe Atij i takon ajo që ka dhënë. Çdo gjë tek Ai është me afat të caktuar. Urdhëroje që të bëjë durim dhe ta shpresojë shpërblimin.” Ajo sërish dërgoi dikë, duke i bërë be që të shkonte. Atëherë Pejgamberi ﷺ u ngrit, e bashkë me të u ngritën edhe Sad ibn Ubade me Muadh ibn Xhebeli. Ia sollën pranë foshnjën, i cili gërhiste si të ishte brenda një kaceku të vyshkur, saqë atij ﷺ iu mbushën sytë lot. Sadi i tha: “O i Dërguari i Allahut... (ç'është kjo)?” Ai tha: “Kjo është mëshirë që Allahu e ka vendosur në zemrat e atyre që do prej robërve të Tij. Ndër robërit e Tij Allahu i mëshiron të mëshirshmit.””