“Musai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e këtij i ka treguar Abdulmelik ibn Umejri se Xhabir ibn Semure (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Banorët e Kufes iu ankuan Omerit për Sadin. Kështu, e shkarkoi atë prej detyrës dhe, në vend të tij, e emëroi Amarin. Përsëri iu ankuan, madje thanë se as namazin nuk po ua fal mirë. Andaj, Omeri dërgoi dikë e i tha: - O Ebu Is'hak! Këta po më thonë se nuk po ua fal namazin siç duhet. - Betohem në Allahun se unë po ua fal namazin sikurse i Dërguari i Allahut ﷺ, asgjë nuk po ua lë mangët. Kur ua fal jacinë, në dy rekatet e para e zgjas leximin, kurse në të fundit e shkurtoj, - tha Sadi. - Kështu mendonim edhe ne, o Ebu Is'hak, - tha Omeri. Pastaj, dërgoi disa njerëz nëpër Kufe, që t'i pyesnin banorët e saj rreth Sadit. Në çdo xhami që pyesnin për të, njerëzit e lavdëronin me fjalë të mira. Përveç në një xhami të fisit benu Abs, një njeri, i quajtur Usame ibn Katade, me nofkën Ebu Sade, u ngrit dhe tha: - Meqë na pyete (po të tregoj): Sadi nuk del nëpër ekspedita luftarake, nuk është i drejtë në ndarjen e pasurisë (plaçkës së luftës) dhe nuk gjykon drejt. - Betohem në Allahun se do t'i bëj tri dua: O Allah, nëse ky njeri po gënjen dhe është ngritur për syefaqësi dhe famë, zgjatja jetën, varfëroje dhe sprovoje në forma të ndryshme! - tha Sadi. Xhabiri thotë: “Më pas, kur (burri që kishte gënjyer) pyetej për këtë gjë, thoshte: “Burrë plak e i sprovuar, më ka goditur mallkimi i Sadit.” Abdulmeliku thotë: “Më vonë pata parë se, ndonëse vetullat i qenë varur mbi sy nga mosha, ai i ngacmonte vashat e reja nëpër rrugë.””