“Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Asimi, e këtij i ka treguar Kurra ibn Halidi, e këtij i ka treguar Ebu Xhemra Dubaiu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur delegacioni i fisit abdulkajs erdhën tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i thanë: “Mes nesh dhe jush gjenden jobesimtarët e mudarit, andaj nuk po mund të vijmë, përveçse në muajt e shenjtë. Na urdhëro diçka konkrete, që, nëse punojmë me të, hyjmë në Xhenet dhe t'i ftojmë ata që i kemi lënë mbrapa.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Jua urdhëroj katër gjëra dhe jua ndaloj katër të tjera. Ju urdhëroj: 1. Të besoni në Allahun. A e dini ç'është besimi në Allahun? Dëshmia se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, 2. Ta falni namazin, 3. Ta jepni zekatin dhe 4. Të jepni një të pestën nga plaçka e luftës. Jua ndaloj katër gjëra: mos pini nga ajo që përgatitet në enë prej kungulli, varelë, vorbë të katranosur dhe shtambë .””