“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Halidi, e ky nga Seidi, e ky nga Muhamed ibn Amër ibn Halhale, e ky nga Muhamed ibn Amër ibn Atai. Lejthiu na ka treguar nga Jezid ibn Ebu Habibi dhe Jezid ibn Muhamedi, e ky nga Muhamed ibn Amër ibn Halhale se Muhamed ibn Amër ibn Atai tregon se, duke qenë në një ndejë me disa shokë të Pejgamberit ﷺ, në bisedë e sipër, përmendën namazin e Pejgamberit ﷺ. Atëherë, Ebu Humejd Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tha: “Nga të gjithë ju, unë e di më së miri namazin e të Dërguarit të Allahut ﷺ. E kam parë duke i ngritur duart paralel me supet kur bënte tekbirin. Kur binte në ruku, i kapte gjunjët me duar dhe e drejtonte shpinën. E, kur ngrihej (nga rukuja), drejtohej derisa çdo asht i shkonte në vendin e vet. Kur binte në sexhde, i vendoste duart (në tokë), por nuk i shtrinte (tërësisht), as i ngrinte (sa të mos i bashkonte me barkun), ndërsa gishtat e këmbëve i kthente drejt kiblës. Kur qëndronte ulur pas dy rekateve, ulej mbi këmbën e majtë, ndërsa të djathtën e lakonte. E, kur qëndronte ulur, në fund të namazit, shputën e majtë e vendoste më përpara, kurse të djathtën e vendoste pingul me tokën dhe ulej në tokë.” Lejthiu e ka dëgjuar Jezid ibn Ebu Habibin dhe Jezid ibn Muhamed ibn Halhalen, kur Ibn Halhale e ka dëgjuar nga Ibn Atai. Ebu Salihu transmeton nga Lejthiu: “Çdo asht.” Ndërkaq, Ibn Mubareku transmeton nga Jahja ibn Ejubi se ka thënë: “Më ka treguar Jezid ibn Ebu Habibi, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Amri: “Çdo asht.””