“Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Hishami, e ky nga Fatimja se Esma (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkova tek Aishja, e cila ishte duke u falur dhe i thashë: “Çfarë kanë njerëzit?” Ajo bëri me shenjë nga qielli. Shikova (jashtë) dhe pashë njerëzit (në xhami) teksa faleshin. - Subhanallah! - tha ajo. - Diçka e jashtëzakonshme? - e pyeta. Ajo pohoi me kokë. Pas kësaj, fillova të falem, derisa ishte gati të më binte të fikët, andaj e laga fytyrën me ujë (për ta larguar plogështinë). (Pas namazit), Pejgamberi ﷺ u ngrit, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun Fuqiplotë e pastaj tha: “Çdo gjë që s'kam pasur rastin ta shoh ndonjëherë më parë, më është shfaqur tani, në këtë vend, madje edhe Xheneti dhe Zjarri (Xhehenemi) . Më është shpallur se ju të gjithë do të sprovoheni në varret tuaja me sprova si sprova e mesihut Dexhall, ose diçka të ngjashme me të, - transmetuesi nuk e di se cilën fjalë e ka përmendur Esma. - Do t'i thuhet (secilit prej jush): “Çfarë di për këtë njeri (Pejgamberin ﷺ) ?” Besimtari, - ose ka thënë: i binduri, - transmetuesi nuk e di se cilën fjalë e ka përmendur Esma, - do të thotë: “Ai është Muhamedi, i Dërguari i Allahut, na ka ardhur me argumente të qarta dhe udhëzim, e ne i jemi përgjigjur dhe e kemi pasuar. Ai është Muhamedi (tri herë) .” I thuhet: “Fli i qetë, e dimë mirë se ke qenë i bindur në këtë.” Ndërkaq, hipokriti, - ose ka thënë: i lëkundshmi, - transmetuesi nuk e di se cilën fjalë e ka përmendur Esma, - thotë: “Nuk di, dëgjoja njerëzit teksa thoshin diçka, andaj unë e thosha të njëjtën gjë.””