“Feja është këshillë e sinqertë. Thamë: Për kë, o i Dërguari i Allahut? Ai tha: Për Allahun, për Librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për udhëheqësit e muslimanëve dhe për njerëzit e tyre të thjeshtë.”
“Muhamed ibn Sinani na ka thënë: Na ka treguar Fulejhu. [t]: Ibrahim ibn Mundhiri më ka treguar se Muhamed ibn Fulejhu ka thënë: Më ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Hilal ibn Aliu, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa Pejgamberi ﷺ po u fliste njerëzve në një tubim, i vajti një beduin e i tha: “Kur do të ndodhë Kiameti?” I Dërguari i Allahut ﷺ vazhdoi fjalimin e tij (pa dhënë përgjigje). Disa thanë se e dëgjoi pyetjen, por nuk i pëlqeu, e disa të tjerë thanë se nuk e dëgjoi fare. Pasi Pejgamberi ﷺ e përfundoi fjalimin, tha: “Ku është ai që pyeti rreth Kiametit?” - Ja ku jam, o i Dërguari i Allahut, - tha ai. - “Kur të humbet besnikëria, prite Kiametin”, - tha Pejgamberi ﷺ. - Po si humbet besnikëria? - pyeti ai. Pejgamberi ﷺ tha: “Kur punët t'u besohen atyre që nuk janë kompetentë, atëherë priteni Kiametin.””
Dituria që zgjon përgjegjësi, butësi dhe veprim të mirë.
“Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Me të vërtetë, në mesin e pemëve është një pemë gjethembajtëse, që i ngjason muslimanit. E gjeni dot cila është ajo pemë?” Të pranishmit filluan t'i përmendin pemët e shkretëtirës, kurse mua më ra ndërmend pema e hurmës, mirëpo më erdhi turp të flisja. Dikur, të pranishmit i thanë: “Na trego cila qenka ajo pemë, o i Dërguari i Allahut!” Kështu, ai tha: “Ajo është pema e hurmës.””
“Muhamed ibn Mukatili dhe Ebu Haseni na kanë thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Njëherë Pejgamberi ﷺ shkroi, - ose ka thënë: donte të shkruante, - një letër, por të pranishmit i thanë: “Ata i lexojnë vetëm letrat e vulosura.” Kështu, Pejgamberi ﷺ mori një unazë argjendi, gdhendur në të mbishkrimin “Muhamed, Resul, Allah (Muhamedi, i Dërguari i Allahut)”. Sikur po e shoh tani bardhësinë shkëlqyese të asaj unaze në dorën e tij.” I thashë Katades: “Kush ka thënë: “... gdhendur në të mbishkrimin “Muhamed, Resul, Allah”? Katadja tha: “Enesi.””
“Musededi na ka thënë: Na ka treguar Bishri, e këtij i ka treguar Ibn Avniu, e ky nga Ibn Sirini se Abdurrahman ibn Ebu Bekrete tregon se e ka dëgjuar të atin duke thënë: “Njëherë Pejgamberi ﷺ, teksa po qëndronte mbi devenë e tij, të cilën një njeri e mbante për freri, - ose ka thënë: për dizgjinësh, - pyeti: “Çfarë dite është sot?” Ne heshtëm, ngaqë menduam se do ta emërtonte me një emër tjetër. Atëherë ai tha: “A nuk është dita e Bajramit të Kurbanit? ” Thamë: “Po, ashtu është.” Ai pyeti: “Po ky muaj, cili është?” Përsëri heshtëm, sepse menduam se do ta emërtonte me një emër tjetër. Ai tha: “A nuk është muaji dhul hixhe (muaji i haxhit) ?” Ne thamë: “Po, ashtu është.” Ai tha: “Me të vërtetë, gjaku, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjtë ndërmjet jush, si shenjtëria e kësaj dite suajës, e këtij muaji tuajit, në këtë qytet tuajin! Ata që janë të pranishëm, le t'ua përcjellin këtë mesazh atyre që nuk janë, sepse ndoshta ata që nuk janë të pranishëm, e kuptojnë më mirë sesa të pranishmit . ””
“Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Sulejmani, e ky nga Amër ibn Ebu Amri, e ky nga Seid ibn Ebu Seid Makburiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se dikush pyeti: “O i Dërguari i Allahut, kush është njeriu më fatlum që do ta fitojë ndërmjetësimin (shefatin) tënd Ditën e Gjykimit?” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kam pandehur, o Ebu Hurejre, se askush para teje nuk do të më pyesë për këtë çështje, për shkak se kam vënë re se ke interesim të madh ndaj hadithit. Njeriu më fatlum që do ta fitojë ndërmjetësimin (shefatin) tim Ditën e Gjykimit është ai që deklaron “la ilahe il-lallah (S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut) " me zemër të sinqertë, - ose ka thënë: me sinqeritet.””
“Is'hak ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Muadh ibn Hishami, e këtij i ka treguar babai i vet, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ i tha Muadhit, i cili ishte ulur mbrapa tij mbi samar: “O Muadh ibn Xhebel!” Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut, - tha Muadhi. Pejgamberi ﷺ sërish tha: “O Muadh!” Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut, - tha tri herë Muadhi. Pejgamberi ﷺ tha: “Nuk ndodh që dikush të deklarojë sinqerisht nga zemra se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, e që Allahu atë njeri të mos ia ndalojë Zjarrit. ” Muadhi i tha: “O i Dërguari i Allahut! A t'i njoftoj njerëzit, që të gëzohen?” “ (Kur ta dëgjojnë këtë njerëzit) atëherë do t'i mbështeten vetëm asaj (e do t'i braktisnin veprat) ”, - tha Pejgamberi ﷺ. Mu për këtë Muadhi e tregoi në fund të jetës së tij, nga frika se do të mëkatonte (nëse nuk do ta tregonte).””