“Jeto në këtë botë sikur të jesh një i huaj ose një udhëtar kalimthi., Dhe Ibn ʿUmari shtonte: 'Kur të ngryset, mos prit mëngjesin; kur të gdhihet, mos prit mbrëmjen. Merr nga shëndeti yt për sëmundjen tënde, dhe nga jeta jote për vdekjen tënde.'”
“O robërit e Mi, Unë ia kam ndaluar padrejtësinë Vetes dhe ua kam bërë të ndaluar edhe juve; mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit. O robërit e Mi, ju të gjithë jeni të humbur, përveç atij që Unë e udhëzoj; kërkoni udhëzim prej Meje, e Unë do t'ju udhëzoj.”
Një kalimtar, jo një banor, si ta shohim këtë dynja me sytë e të Dërguarit.
“Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Abdurrahman Ebu Mundhir Tafaviu, e ky nga Sulejman Ameshi, e këtij i ka treguar Muxhahidi se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më kapi për supi dhe më tha: “Ji në dynja sikurse të jesh i huaj ose kalimtar rruge.” Ibn Omeri thoshte: “Kur të ngrysesh, mos e prit mëngjesin, e, kur të gdhihesh, mos e prit mbrëmjen. Puno sa je shëndoshë, për sëmundjen tënde, dhe sa je gjallë, për vdekjen tënde.””
“Muadh ibn Fedale na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e ky nga Jahjai, e ky nga Hilal ibn Ebu Mejmune, e këtij i ka treguar Ata ibn Jesari se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë Pejgamberi ﷺ u ul në minber, kurse ne përreth tij, e në atë rast tha: “Gjëja prej së cilës frikësohem për ju, pas meje, është fakti se do t'ju hapen bukuritë dhe stolitë e dynjasë.” Njëri tha: “O i Dërguari i Allahut, e mira a mund ta sjellë të keqen?” Pejgamberi ﷺ heshti, e atij (pyetësit) i thanë: “Ç'është puna jote, po i flet Pejgamberit ﷺ, e ai nuk po ta kthen?” Pastaj vërejtëm se Pejgamberit ﷺ po i zbriste shpallja. Pasi përfundoi, i fshiu djersët dhe pyeti: “Ku është pyetësi?” U duk sikur po e lavdëronte dhe tha: “E mira nuk e sjell të keqen, (dhënia pas grumbullimit të pasurisë së shumtë dëmton sikundërqë) gjelbërimi i pranverës e mbyt kafshën ose e sjell në prag të ngordhjes, përveç asaj që kullot bar të njomë . Nëse kafsha ha (bar të) gjelbër derisa i mbushen brinjët, kthehet nga dielli (merr rreze) , bajgos e lehtë urinon dhe prapë kullot. Pasuria është e njomë (e bukur për syrin) dhe e ëmbël. I lumtë muslimanit për atë që ia jep nevojtarit, jetimit ose udhëtarit!” - Ose, sido që të ketë thënë Pejgamberi ﷺ: - “Ai që merr pasuri padrejtësisht, është sikurse ai që ha e nuk ngopet. Ditën e Kiametit ajo do të bëhet dëshmitare kundër tij.””
“Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Bekri, e këtij i ka treguar Ebu Hasini, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk është pasuri të kesh shumë mall, porse pasuri e vërtetë është pasuria e shpirtit.””
“Muhamed ibn Othmani më ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Mahledi, e këtij i ka treguar Sulejman ibn Bilali, e këtij i ka treguar Sherik ibn Abdullah ibn Ebu Nemri, e ky nga Atai se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu i Madhëruar ka thënë: “Atij që armiqëson një nga të dashur e Mi, Unë i shpall luftë. Gjëja më e dashur për Mua, me të cilën robi më afrohet, janë gjërat që ia kam obliguar. Robi vazhdon të më afrohet me vepra vullnetare derisa ta dua. E, kur Unë e dua, bëhem dëgjimi i tij me të cilin dëgjon, shikimi i tij me të cilin shikon, dora e tij me të cilën godet dhe këmba e tij me të cilën ecën. Nëse më kërkon diçka, do t'ia jap patjetër, e, nëse strehohet tek Unë, do ta mbroj gjithsesi. Nuk ka vepër të cilën hezitoj ta kryej siç hezitoj kur ia marr shpirtin besimtarit: ai e urren vdekjen, kurse Unë urrej t'i bëj keq atij.””