“Frikësoju Allahut kudo që të jesh; pas një vepre të keqe bëj një të mirë, sepse e shlyen atë; dhe sillu me njerëzit me moral të mirë.”
“Muslimani është vëlla i muslimanit: nuk i bën padrejtësi, nuk e lë pa ndihmë dhe nuk e përbuz. Mjafton e keqe për një njeri të përbuzë vëllain e tij musliman. Çdo musliman, për muslimanin, është i shenjtë në gjak, në pasuri dhe në nder.”
Butësia, respekti dhe sjellja që e zbukuron besimin në jetën e përditshme.
“Abdullah ibn Abdulvehabi na ka thënë: Më ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Hazimi, e këtij i ka treguar babai i tij se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Unë dhe kujdestari i jetimit në Xhenet jemi kështu”, - dhe bëri me shenjë me gishtin tregues dhe të mesëm.”
“Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Ahvasi, e ky nga Ebu Hasini, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, të mos e shqetësojë fqinjin e tij. Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le ta nderojë mysafirin e tij. Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë!””
“Jahja ibn Jusufi më ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Bekër ibn Ajashi, e ky nga Ebu Hasini, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, një burrë i tha Pejgamberit ﷺ: - Më këshillo! - “Mos u zemëro!” - ia ktheu Pejgamberi ﷺ. Ai i kërkoi disa herë radhazi, por Pejgamberi ﷺ çdoherë i thoshte: “Mos u zemëro!””
“Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Mehdiu, e këtij i ka treguar Sufjani, e ky nga Ebu Hasini, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, të mos e shqetësojë fqinjin e tij. Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le ta nderojë mysafirin e tij. Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë!””
“Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Sumeji, i çrobëruari i Ebu Bekrit, e ky nga Ebu Salih Semani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Teksa një burrë ecte nëpër një rrugë, e mori etja fort. Andaj, kur gjeti një pus, zbriti dhe piu ujë. Kur doli, pa një qen duke dihatur me gjuhën jashtë, saqë hante dhé nga etja. Atëherë tha me vete: “E paska marrë etja siç më pati marrë mua.” Kështu, zbriti sërish në pus, e mbushi këpucën me ujë dhe i dha qenit për të pirë. Allahu i ishte mirënjohës për veprën, prandaj ia fali mëkatet.” Sahabët e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, u shpërblyekemi edhe për kafshët?” - “Për çdo gjallesë që ka mushkëri të njomë ka shpërblim”, - u tha Pejgamberi ﷺ.”