“Islami është ngritur mbi pesë shtylla: dëshmia se s'ka zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit dhe agjërimi i ramazanit.”
“Ubejdullah ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Handhale ibn Ebu Sufjani nga Ikrime ibn Halidi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Islami është ngritur mbi pesë shtylla: 1. Mbi dëshminë se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi ﷺ është i Dërguari i Tij, 2. Faljen e namazit, 3. Dhënien e zekatit, 4. Kryerjen e haxhit dhe 5. Agjërimin e Ramazanit.””
Shtyllat e namazit, koha e tij, dhe mënyra si na e mësoi i Dërguari i Allahut.
“Ebu Velid Hisham ibn Abdulmeliku na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Velid ibn Ajzari, e ky e ka dëgjuar Ebu Amër Shejbaniun se ka thënë: Na ka treguar i zoti i kësaj shtëpie, duke bërë me shenjë nga shtëpia e Abdullahut, se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “E kam pyetur Pejgamberin ﷺ: - Cila vepër është më e dashur tek Allahu? - “Namazi që falet në kohën e vet”, - më tha. - Pastaj cila? - “Mirësjellja me prindërit”, - tha Pejgamberi ﷺ. - Pastaj cila? - “Lufta në rrugën e Allahut.” Abdullahu thotë: “M'i tregoi këto dhe, s ikur ta pyesja më shumë, do të më tregonte edhe më tepër.””
“Ibrahim ibn Hamzai na ka thënë: Më ka treguar Ibn Ebu Hazimi dhe Deraverdiu, e këta nga Jezidi, e ky nga Muhamed ibn Ibrahimi, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Përfytyroni sikur një lumë të kalonte pranë derës së ndonjërit prej jush, ku do të lahej çdo ditë nga pesë herë. Vallë, do t'i mbetej ndonjë ndyrësi?” Thanë: “Jo, nuk do t'i mbetej asnjë ndyrësirë.” Pejgamberi ﷺ tha: “Kështu është puna edhe me pesë namazet. Allahu i fshin mëkatet me to.””
“Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe se Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur erdhëm te Pejgamberi ﷺ, ishim të rinj dhe bashkëmoshatarë. Qëndruam tek ai njëzet ditë. I Dërguari i Allahut ﷺ ishte i mëshirshëm dhe i butë, andaj, kur na pa se ishim përmalluar për familjet tona, na pyeti se kë kemi lënë mbrapa, e ne i treguam. Më pas, na tha: “Kthehuni te familjet tuaja dhe qëndroni me ta. Mësojini ata dhe urdhërojini për të mirë.” - Përmendi edhe gjëra të tjera, disa prej të cilave nuk më kujtohen -. Ai, po ashtu, tha: “Faluni, ashtu siç më keni parë mua duke u falur. Kur të vijë koha e namazit, le ta thërrasë ezanin ndokush prej jush dhe le t'ju prijë në namaz më i vjetri nga mesi juaj.””
“Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky e ka dëgjuar Ebu Salihun se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Të falesh me xhemat është njëzet e pesëfish më e vlefshme sesa të falesh në shtëpi ose në dyqan. Kjo, se, kur personi merr abdes në formë të përkryer dhe niset për xhami, duke pasur në mendje vetëm namazin, për çdo hap që hedh, ngrihet një gradë e i fshihet një gjynah. Pasi të falet, për aq sa të qëndrojë në xhami, melekët luten vazhdimisht për të, duke thënë: “O Allah, fale! O Allah, mëshiroje!” Njeriu llogaritet se është duke u falur për aq sa është duke e pritur namazin.””
“Muhamed ibn Ebu Bekri na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Sumeji, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të varfrit shkuan te Pejgamberi ﷺ e i thanë: - Na e kaluan të pasurit në gradat e larta dhe në mirësitë e përjetshme. Falen siç falemi ne, agjërojnë siç agjërojmë ne, por ata posedojnë pasuri me të cilën kryejnë haxhin dhe umrën, luftojnë dhe japin sadaka. - “A t'ju tregoj diçka që, nëse e veproni, do t'i arrini ata që jua kanë kaluar dhe askush nuk do t'ju arrijë më pas. Do të jeni më të mirët në mesin tuaj, përveç atij që vepron si ju. Bëni tesbih (subhanallah) , tahmid (elhamdulilah) dhe tekbir (Allahu ekber) nga tridhjetë e tri herë pas çdo namazi”, - u tha Pejgamberi ﷺ. Mirëpo, nuk pajtoheshim me njëri-tjetrin (rreth mënyrës së dhikrit). Disa thoshin: “Bëjmë tesbih tridhjetë e tri herë, tahmid tridhjetë e tri herë dhe tekbir tridhjetë e katër herë. Andaj, shkova sërish te Pejgamberi ﷺ dhe e pyeta, e në atë rast ai më tha: - “Thuaj: “Subhanallah, elhamdulilah, vallahu ekber”, derisa që të gjitha, veç e veç, të bëhen nga tridhjetë e tri herë.””