“Edhe në intimitetin e secilit prej jush ka një sadaka. Thanë: 'O i Dërguar i Allahut, a ka shpërblim edhe kur dikush prej nesh plotëson një dëshirë?' Ai tha: 'Po, po ta kishte bërë në rrugë të ndaluar, do të kishte mëkat; pra kur e bën në rrugë të lejuar, ka shpërblim.'”
“Haxhaxh ibn Minhali na ka treguar se Shuëbe ka thënë: Më ka rrëfyer Adij ibn Thabiti, e ky e ka dëgjuar Abdullah ibn Jezidin se Ebu Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur njeriu shpenzon për familjen e tij, e për këtë llogarit shpërblimin e Zotit, atëherë kjo llogaritet sadaka për të.””
Dhënia, bujaria dhe veprat e vogla që rëndojnë shumë te Allahu.
“Muhamed ibn Ebu Bekri na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Sumeji, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të varfrit shkuan te Pejgamberi ﷺ e i thanë: - Na e kaluan të pasurit në gradat e larta dhe në mirësitë e përjetshme. Falen siç falemi ne, agjërojnë siç agjërojmë ne, por ata posedojnë pasuri me të cilën kryejnë haxhin dhe umrën, luftojnë dhe japin sadaka. - “A t'ju tregoj diçka që, nëse e veproni, do t'i arrini ata që jua kanë kaluar dhe askush nuk do t'ju arrijë më pas. Do të jeni më të mirët në mesin tuaj, përveç atij që vepron si ju. Bëni tesbih (subhanallah) , tahmid (elhamdulilah) dhe tekbir (Allahu ekber) nga tridhjetë e tri herë pas çdo namazi”, - u tha Pejgamberi ﷺ. Mirëpo, nuk pajtoheshim me njëri-tjetrin (rreth mënyrës së dhikrit). Disa thoshin: “Bëjmë tesbih tridhjetë e tri herë, tahmid tridhjetë e tri herë dhe tekbir tridhjetë e katër herë. Andaj, shkova sërish te Pejgamberi ﷺ dhe e pyeta, e në atë rast ai më tha: - “Thuaj: “Subhanallah, elhamdulilah, vallahu ekber”, derisa që të gjitha, veç e veç, të bëhen nga tridhjetë e tri herë.””
“Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Sumeji, i çrobëruari i Ebu Bekër ibn Abdurrahmanit, e ky nga Ebu Salih Semani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që pastrohet ditën e premte, ashtu siç pastrohet prej xhunubllëkut dhe shkon në xhami, konsiderohet sikurse të ketë bërë kurban një deve. Ai që shkon në kohën e dytë, konsiderohet sikurse të ketë bërë kurban një lopë. Ai që shkon në kohën e tretë, konsiderohet sikurse të ketë bërë kurban një dash me brirë. Ai që shkon në kohën e katërt, konsiderohet sikurse të ketë bërë kurban një pulë. Ai që shkon në kohën e pestë, konsiderohet sikurse të ketë dhënë sadaka një vezë. E, kur imami të ngjitet në minber, melekët ndalen për ta dëgjuar dhikrin (hutben) .””
“Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku, e ky e ka dëgjuar Abdullah ibn Makilin se Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Mbrohuni prej Zjarrit, qoftë dhe me një gjysmë hurme .””
“Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky nga Nafiu, e ky nga Ibn Omeri, e ky e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ se... [t]: Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në minber, përmendi lëmoshën, ndershmërinë dhe lypjen, e në atë rast tha: “Dora e sipërme është më e mirë se dora e poshtme, se e sipërmja jep, kurse e poshtmja lyp.””
“Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ata ibn Jezid Lejthiu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa ensarë i lypën të Dërguarit të Allahut ﷺ, e ai u dha. Lypën sërish, e ai u dha sërish. Lypën përsëri, e ai u dha përsëri, derisa iu harxhua ajo që posedonte, e në atë rast tha: “Të mirat që kam për ju nuk i kursej. Mirëpo (ta dini se) , atë që kërkon ndershmëri, Allahu e bën të ndershëm. Atë që mjaftohet me pasurinë që ka, Allahu e bën të pasur. Dhe, atë që tregon durim, Allahu e bën të durueshëm. Askujt nuk i është dhënë ndonjë dhunti më e mirë e më e madhe sesa durimi.””