“Vërtet, veprat vlerësohen sipas qëllimeve, dhe secili njeri do të marrë atë që ka pasur për qëllim. Andaj, kush emigron për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, emigrimi i tij është për Allahun dhe të Dërguarin e Tij; e kush emigron për të fituar ndonjë dynja ose për t'u martuar me një grua, emigrimi i tij është për atë që ka synuar.”
“Vërtet, hallalli është i qartë dhe harami është i qartë; dhe midis tyre ndodhen çështje të dyshimta, të cilat shumë njerëz nuk i dallojnë. Kush i ruhet të dyshimtave, ka ruajtur fenë dhe nderin e tij; kush bie në to, bie në haram.”
Qëllimi i fshehtë i zemrës, dhe si e përcakton ai vlerën e çdo vepre.
“Lëre atë që të lëshon në dyshim, për atë që nuk të lëshon. Vërtet, e vërteta është qetësi dhe gënjeshtra është dyshim.”
“Thuaj: 'Besova në Allahun', dhe pastaj qëndro i palëkundur.”
“Abdullah ibn Zubejr Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Jahja ibn Seid Ensariu, e ky thotë: Më ka rrëfyer Muhamed ibn Ibrahim Tejmiu se e ka dëgjuar Alkame ibn Vekas Lejthiun duke thënë: Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke ligjëruar në minber, tha: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Me të vërtetë, veprat vlerësohen sipas nijeteve dhe secili do të shpërblehet sipas asaj që ka bërë nijet. Andaj, nëse dikush ka bërë hixhret me qëllim të arritjes së të mirave të dynjasë ose që të martohet me ndonjë femër, hixhreti i tij do të vlerësohet sipas asaj për çfarë ka bërë hixhret .””
“Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Zekerija nga Amiri se Numan ibn Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë, porse ndërmjet tyre ka gjëra të dyshimta, të cilat shumë njerëz nuk i dinë. Andaj, ai që ruhet nga gjërat e dyshimta, e ka siguruar fenë dhe nderin e tij. Ndërkaq, ai që bie në gjëra të dyshimta është sikurse bariu që kullot kopenë përbri zonës së ndaluar dhe në çdo çast bagëtitë mund të hyjnë në të. Andaj, dijeni, o njerëz, se çdo pronar ka zonën e vet të ndaluar, ndërsa zona e ndaluar e Allahut në Tokë janë haramet. Dijeni se në trup ndodhet një copë mishi, që, nëse është e shëndoshë, tërë trupi është i shëndoshë, e, nëse prishet, prishet tërë trupi. Vini re, ajo është zemra.””
“Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Muhamed ibn Ibrahimi, e ky nga Alkame ibn Vekasi se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Veprat vlerësohen sipas nijetit dhe secili do të shpërblehet sipas asaj që ka bërë nijet. Andaj, kujtdo që ka bërë hixhret për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, hixhreti do t'i pranohet si hixhret për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ndërkaq, nëse dikush ka bërë hixhret me qëllim të arritjes së të mirave të dynjasë ose që të martohet me ndonjë femër, hixhreti i tij do të vlerësohet sipas asaj për çfarë ka bërë hixhret.””
“Is'hak ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Muadh ibn Hishami, e këtij i ka treguar babai i vet, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ i tha Muadhit, i cili ishte ulur mbrapa tij mbi samar: “O Muadh ibn Xhebel!” Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut, - tha Muadhi. Pejgamberi ﷺ sërish tha: “O Muadh!” Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut, - tha tri herë Muadhi. Pejgamberi ﷺ tha: “Nuk ndodh që dikush të deklarojë sinqerisht nga zemra se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, e që Allahu atë njeri të mos ia ndalojë Zjarrit. ” Muadhi i tha: “O i Dërguari i Allahut! A t'i njoftoj njerëzit, që të gëzohen?” “ (Kur ta dëgjojnë këtë njerëzit) atëherë do t'i mbështeten vetëm asaj (e do t'i braktisnin veprat) ”, - tha Pejgamberi ﷺ. Mu për këtë Muadhi e tregoi në fund të jetës së tij, nga frika se do të mëkatonte (nëse nuk do ta tregonte).””