“Asnjëri prej jush nuk beson me të vërtetë derisa të dëshirojë për vëllain e tij atë që dëshiron për vetveten.”
“Muslimani është vëlla i muslimanit: nuk i bën padrejtësi, nuk e lë pa ndihmë dhe nuk e përbuz. Mjafton e keqe për një njeri të përbuzë vëllain e tij musliman. Çdo musliman, për muslimanin, është i shenjtë në gjak, në pasuri dhe në nder.”
Si duhet ta duam, ta ndihmojmë dhe ta mbrojmë njëri-tjetrin.
“Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Abdullah ibn Ebu Seferi dhe Ismaili, e këta nga Shabiu se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Musliman është ai, nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurt muslimanët e tjerë, kurse muhaxhir është ai që braktis ato që ka ndaluar Allahu.” Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Ebu Muaviu ka thënë: “Na ka treguar Davudi nga Amiri, e ky e ka dëgjuar Abdullah ibn Amrin, e ky nga Pejgamberi ﷺ.” Po ashtu Abdulala transmeton nga Davudi, e ky nga Amiri, e ky nga Abdullahu, e ky nga Pejgamberi ﷺ.””
“Seid ibn Jahja ibn Seid Kureshiu na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij Ebu Burde Abdullah ibn Ebu Burde, nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa njerëz i thanë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, cila vepër e Islamit është më e vlefshme?” Ai tha: “Ai, nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurt muslimanët.””
“Amër ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Jezidi, e ky nga Ebu Hajri se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë e pyeti Pejgamberin ﷺ: “Cila është vepra më e mirë në Islam?” Ai iu përgjigj: “Të ushqesh të tjerët e të përshëndesësh me selam atë që e njeh dhe atë që nuk e njeh.””
“Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Shuëbe, e ky nga Katadja, e ky nga Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ. Husejn Mualimi ka thënë: Na ka treguar Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka besuar asnjëri prej jush, derisa të dojë për vëllanë e vet atë që e do për vete.””
“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Salimi se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, as e dorëzon (aty ku i bëhet padrejtësi) . Atij që i del në ndihmë vëllait të vet, Allahu do t'i dalë në ndihmë; atij që i largon muslimanit një brengë, Allahu do t'i largojë një brengë Ditën e Kiametit dhe atij që i mbulon muslimanit një të metë, Allahu do t'i mbulojë një të tillë Ditën e Kiametit.””
“Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz Maxhishuni, e këtij i ka rrëfyer Abdullah ibn Dinari se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Padrejtësia do të jetë errësirë Ditën e Kiametit.””