“Vërtet, veprat vlerësohen sipas qëllimeve, dhe secili njeri do të marrë atë që ka pasur për qëllim. Andaj, kush emigron për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, emigrimi i tij është për Allahun dhe të Dërguarin e Tij; e kush emigron për të fituar ndonjë dynja ose për t'u martuar me një grua, emigrimi i tij është për atë që ka synuar.”
“Vërtet, hallalli është i qartë dhe harami është i qartë; dhe midis tyre ndodhen çështje të dyshimta, të cilat shumë njerëz nuk i dallojnë. Kush i ruhet të dyshimtave, ka ruajtur fenë dhe nderin e tij; kush bie në to, bie në haram.”
Hadithe për zemrën, nijetin, pastrimin e brendshëm dhe qëndrueshmërinë.
“Thuaj: 'Besova në Allahun', dhe pastaj qëndro i palëkundur.”
“Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Zekerija nga Amiri se Numan ibn Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë, porse ndërmjet tyre ka gjëra të dyshimta, të cilat shumë njerëz nuk i dinë. Andaj, ai që ruhet nga gjërat e dyshimta, e ka siguruar fenë dhe nderin e tij. Ndërkaq, ai që bie në gjëra të dyshimta është sikurse bariu që kullot kopenë përbri zonës së ndaluar dhe në çdo çast bagëtitë mund të hyjnë në të. Andaj, dijeni, o njerëz, se çdo pronar ka zonën e vet të ndaluar, ndërsa zona e ndaluar e Allahut në Tokë janë haramet. Dijeni se në trup ndodhet një copë mishi, që, nëse është e shëndoshë, tërë trupi është i shëndoshë, e, nëse prishet, prishet tërë trupi. Vini re, ajo është zemra.””
“Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Sulejmani, e ky nga Amër ibn Ebu Amri, e ky nga Seid ibn Ebu Seid Makburiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se dikush pyeti: “O i Dërguari i Allahut, kush është njeriu më fatlum që do ta fitojë ndërmjetësimin (shefatin) tënd Ditën e Gjykimit?” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kam pandehur, o Ebu Hurejre, se askush para teje nuk do të më pyesë për këtë çështje, për shkak se kam vënë re se ke interesim të madh ndaj hadithit. Njeriu më fatlum që do ta fitojë ndërmjetësimin (shefatin) tim Ditën e Gjykimit është ai që deklaron “la ilahe il-lallah (S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut) " me zemër të sinqertë, - ose ka thënë: me sinqeritet.””
“Is'hak ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Muadh ibn Hishami, e këtij i ka treguar babai i vet, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ i tha Muadhit, i cili ishte ulur mbrapa tij mbi samar: “O Muadh ibn Xhebel!” Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut, - tha Muadhi. Pejgamberi ﷺ sërish tha: “O Muadh!” Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut, - tha tri herë Muadhi. Pejgamberi ﷺ tha: “Nuk ndodh që dikush të deklarojë sinqerisht nga zemra se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, e që Allahu atë njeri të mos ia ndalojë Zjarrit. ” Muadhi i tha: “O i Dërguari i Allahut! A t'i njoftoj njerëzit, që të gëzohen?” “ (Kur ta dëgjojnë këtë njerëzit) atëherë do t'i mbështeten vetëm asaj (e do t'i braktisnin veprat) ”, - tha Pejgamberi ﷺ. Mu për këtë Muadhi e tregoi në fund të jetës së tij, nga frika se do të mëkatonte (nëse nuk do ta tregonte).””
“Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejd ibn Abdullahu, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e përmend Zotin dhe ai që nuk e përmend u shëmbëllejnë të gjallit dhe të vdekurit.””