“Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Amir ibn Sad ibn Ebu Vekasi, se babai i tij Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më vizitoi në vitin e Haxhit Lamtumirës, për shkak të një sëmundjeje që më rëndoi shumë, e në atë rast i thashë: - Rëndimi i sëmundjes ka arritur kulmin (prej së cilës ndoshta edhe do të vdes), nga ana tjetër, kam shumë pasuri, ndërkohë trashëgimtare kam vetëm një vajzë. A të jap lëmoshë dy të tretat e pasurisë sime? - “Jo”, - tha ai. - Po gjysmën? - e pyeta. - “Jo”, - tha. Pastaj vazhdoi: - “Një të tretën, madje edhe një e treta është e madhe, - ose ka thënë: është shumë - . T'i lësh trashëgimtarët e tu të pasur është më mirë sesa t'i lësh nevojtarë (të varfër) , që t'u lypin njerëzve. Për çdo lëmoshë që jep, duke kërkuar shpërblimin e Allahut, do të shpërblehesh, madje edhe për kafshatën që e vendos në gojën e bashkëshortes sate.” - O i Dërguari i Allahut, a do të mbetem (në Mekë) pas shokëve të mi (të cilët do të kthehen në Medinë)? - i thashë. - “Nuk ndodh të vazhdosh të jetosh pas tyre e të punosh ndonjë vepër të mirë e të të mos shtohet një gradë dhe lartësim. Mbase do të jetosh aq sa dikush (nga miqtë) do përfitojë e dikush (nga armiqtë) do ta pësojë keq për shkakun tënd . O Allah! Plotësoje hixhretin e shokëve të mi e mos i kthe mbrapa (nga ku kanë bërë hixhret) ! Sa fatkeqësi për Sad ibn Haulen!” I Dërguari i Allahut ndiente dhembje dhe shprehte keqardhje për të pse vdiq në Mekë (pasi nuk u pëlqente të vdisnin aty, pasi kishin bërë hixhret).””