“Ajash ibn Velidi na ka thënë: Na ka treguar Abdulalai, e këtij i ka treguar Seidi, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur robi vendoset në varr dhe kur largohen shokët e tij (pjesëmarrësit në varrim) , dëgjon trokun e mbathjeve të tyre (duke u larguar) . I venë dy melekë, e ulin dhe i thonë: “Çfarë thoshe për atë njeri, Muhamedin ﷺ?” Besimtari përgjigjet: “Dëshmoj se ai është rob dhe i Dërguari i Allahut.” I thuhet: “Shikoje vendin tënd në Zjarr; Allahu ta ka zëvendësuar me një vend në Xhenet.” Kështu, i sheh të dy vendet.” Katadja shton: “Na është treguar se të tillit i zgjerohet varri. Pastaj vazhdoi transmetimin e Enesit: “Ndërkaq, hipokritit dhe jobesimtarit i thuhet: “Çfarë thoshe për atë njeri (Muhamedin ﷺ) ?” Ai përgjigjet: “Nuk di, thosha atë që thoshin njerëzit.” Atëherë i thuhet: “As e dije, as e lexoje (Kuranin) .” Pastaj, me një çekan të hekurt goditet aq fort, saqë lëshon një klithmë që e dëgjon çdo gjë përreth tij, përveç njerëzve dhe xhinëve.””