“Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Vaili se Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omeri pyeti: - Cili prej jush e di hadithin e të Dërguarit të Allahut ﷺ rreth fitneve (trazirave)? - Unë e di ashtu siç e ka thënë (Pejgamberi ﷺ), - i thashë. - Ti me të vërtetë ke guxim (ta tregosh). Si e ka thënë? - pyeti Omeri. - “Fitnet e njeriut në familjen, fëmijët dhe fqinjët e tij shlyhen nga namazi i tij, lëmosha dhe vepra e mirë”, - thashë. Sulejmani (Ameshi) tregon (se Ebu Vaili nganjëherë, kur e transmetonte këtë hadith) thoshte : “Namazi, lëmosha, urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja.” - Nuk është kjo që po kërkoj. E kam fjalën për fitnen, e cila do të trazohet sikurse trazohet deti, - tha Omeri. - Nuk ke pse shqetësohesh prej saj, o prijës i besimtarëve! Mes teje dhe saj është një derë e mbyllur, - i thashë. - A do të thyhet kjo derë, vallë, apo do të hapet? - pyeti Omeri. - Do të thyhet. - Atëherë, nuk paska për t'u mbyllur më, - tha Omeri. - Ashtu është, - i thashë. Ebu Vaili thotë: “Nuk patëm guxim ta pyesnim (Hudhejfën) kush ishte dera, andaj e porositëm Mesrukun që ta pyeste, e ai tha: “Ajo derë ishte vetë Omeri.” - Po Omeri, e dinte, vallë, se kush ishte ajo derë? - Po, ashtu siç e dinte se të sotmen e pason e nesërmja. Ngaqë unë i tregova një hadith të qartë, në të cilin nuk ka pikë dyshimi , - u përgjigj Hudhejfe.”