“Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Me Pejgamberin ﷺ dolëm në haxhin e lamtumirës dhe hymë në ihram për umre. Pejgamberi ﷺ tha: “Ai që e ka marrë kurbanin me vete, le të hyjë në ihram për haxh dhe umre e të mos lirohet nga ihrami deri në fund të haxhit.” Kur arrita në Mekë isha me menstruacione, andaj nuk e bëra tavafin rreth Qabesë e nuk eca mes Safasë dhe Mervës. Iu ankova Pejgamberit ﷺ, e ai më tha: “Shprishi flokët dhe krihu. Hyr në ihram për haxh, e lëre umrën.” Ashtu veprova. Pasi e përfunduam haxhin, Pejgamberi ﷺ më dërgoi me Abdurrahman ibn Ebu Bekrin në Tenëim për ta kryer umrën, e në atë rast më tha: “Kjo është zëvendësim për umrën (e humbur) .” Ata që kishin hyrë në ihram për umre (qysh në fillim), e bënë tavafin rreth Qabesë, ecën mes Safasë e Mervës dhe u liruan nga ihrami. Pastaj, pasi u kthyen prej Minas, bënë edhe një tavaf. Ndërkaq, ata që e bashkuan haxhin me umrën, bënë vetëm një tavaf.””