“Bejan ibn Amri na ka thënë: Na ka treguar Jezidi, e këtij i ka treguar Xherir ibn Hazimi, e këtij i ka treguar Jezid ibn Rumani, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ i ka thënë: “Oj Aishe, sikur populli yt të mos ishin kaq afër me kohën e injorancës , do të urdhëroja të rrënohej Qabeja, e pastaj do ta kisha (rindërtuar duke) përfshirë brenda saj gjithë atë pjesë që nuk është përfshirë në të , do ta bëja atë në nivel me tokën dhe do t'ia hapja dy dyer: njërën në anën lindore, tjetrën në atë perëndimore. Kështu do ta riktheja në themelet e Ibrahimit ﷺ.” Ky qe shkaku që shtyu Ibn Zubejrin ta rrënojë (Qabenë). Jezidi thotë: “Kam qenë i pranishëm kur Ibn Zubejri e pati rrënuar dhe rindërtuar Qabenë e ia pati bashkëngjitur pjesën e shkëputur (murin afër Qabesë).” I pata parë edhe themelet e Ibrahimit: disa gurë në formë të gungave të devesë. Xheriri thotë: “E kam pyetur Jezidin: - Ku ishte (themeli i Ibrahimit)? - Eja të të tregoj, - më tha. Hymë në pjesën e murit harkor (hixhrit) , ma bëri me shenjë drejt një vendi dhe më tha: - Ja, këtu. E mata hapësirën prej murit harkor, e në atë rast më dolën përafërsisht gjashtë kute.””