“Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me Pejgamberin ﷺ dolëm për rrugë dhe, përveç haxhit, nuk patëm synim tjetër. Me të arritur (në Mekë), Pejgamberi ﷺ e bëri tavafin, eci mes Safasë dhe Mervës, por nuk u lirua prej ihramëve, sepse e kishte marrë kurbanin me vete. Gratë dhe shokët e tij e bënë tavafin, kurse ata që nuk kishin marrë kurban me vete u liruan prej ihramëve, e mua më erdhën menstruacionet. Pasi i kryem të gjitha veprimet e haxhit, natën e Muhasabit, natën e largimit nga Mina, thashë: - O i Dërguari i Allahut! Të gjithë shokët e tu po kthehen me umre dhe haxh, përveç meje. - “A nuk ke bërë tavaf në netët që erdhëm në Mekë?” - tha Pejgamberi ﷺ. - Jo, - i thashë. - “Shko me vëllanë tënd në Tenëim dhe kryej një umre, pastaj takohemi në filan vendin.” Kështu, shkova me Abdurrahmanin në Tenëim dhe kreva një umre. Safije bint Hujejit i erdhën menstruacionet, andaj Pejgamberi ﷺ i tha: - “Moj fatkeqe! Na bllokove! A nuk e ke bërë tavafin ditën e Bajramit të Kurbanit? ” - Po, - i tha Safija. - “E po, nuk prish punë. Mund të vazhdosh rrugën (për në Medinë) .” Pejgamberi ﷺ më takoi (në Muhasab) teksa po ngjitej në Mekë (për ta bërë tavafin lamtumirës), ndërsa unë po zbrisja (prej Tenimit), - ose ka thënë: teksa unë po ngjitesha në Mekë (prej Tenimit), ndërsa ai po zbriste në të (Në Mekë). Musededi ka thënë: - Jo, - i thashë (tha Aishja). Transmetimin e Musededit e ka fuqizuar Xheriri nga Mensuri sa i përket shprehjes: - Jo, - i thashë.”