“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një mesnatë i Dërguari i Allahut ﷺ doli për t'u falur në xhami, e me të u falën edhe disa burra. Në mëngjes njerëzit filluan të flasin rreth kësaj. Kështu (natën tjetër), u tubuan më shumë njerëz, të cilët u falën sërish me të. Prapë, në mëngjes, filluan të flasin rreth kësaj. Natën e tretë u shtua edhe më shumë numri i xhematit. I Dërguari i Allahut doli dhe u fal, e pas tij edhe të tjerët. Natën e katërt aq shumë u tubuan, saqë nuk i zinte xhamia. Pejgamberi ﷺ doli për namazin e sabahut dhe, pasi u fal, u kthye nga njerëzit, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun dhe tha: “E, më pas; jo që nuk ju kam parë, mirëpo jam frikësuar se po ju obligohet (namazi i natës) , e nuk do ta përballonit.” I Dërguari i Allahut ﷺ vdiq, e praktika vazhdoi (secili falej vetëm).””