“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka treguar: “Ibrahimi ﷺ u shpërngul me Sarën dhe shkuan në një fshat ku sundonte një mbret prej mbretërve, - ose ka thënë: tiran prej tiranëve. Dikush e lajmëroi mbretin: “Ibrahimi ka ardhur me një grua, që është më e bukura ndër gra. Ai dërgoi dikë për ta pyetur Ibrahimin: “O Ibrahim, kush është kjo grua që është me ty?” - Motra ime, - iu përgjigj ai. Pastaj Ibrahimi iu kthye Sarës: “Mos i përgënjeshtro fjalët e mia, sepse unë u thashë se ti je motra ime, e betohem në Allahun se, përveç neve të dyve, nuk ka besimtar në fytyrë të Tokës.” Kështu, Ibrahimi e dërgoi Sarën tek ai. Mbreti u ngrit për t'iu afruar, por ajo mori abdes, u fal dhe tha: “O Allah! Nëse kam besuar në Ty e në të dërguarin Tënd dhe e kam ruajtur nderin vetëm për burrin tim, mos lejo që ky jobesimtar të më përvetësojë.” Kështu, atij iu zu fryma (si ta shtrëngonte dikush për fyti) , dhe zuri të shkelmonte me këmbë.” Arexhi transmeton nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se ka thënë: “Ebu Hurejra në vijim tha: “ Sara tha: “O Allah, nëse ky vdes, do të thonë: “Ajo e ka vrarë.” Pastaj sërish ia dërguan mbretit. Mbreti u ngrit për t'iu afruar, por ajo mori abdes, u fal dhe tha: “O Allah! Nëse kam besuar në Ty e në të dërguarin Tënd dhe e kam ruajtur nderin vetëm për burrin tim, mos lejo që ky jobesimtar të më përvetësojë!” Ai vajti, por prapë iu zu fryma dhe zuri të shkelmonte me këmbë.” Abdurrahmani transmeton nga Ebu Seleme se ka thënë: “Ebu Hurejra në vijim tha: “ Sara tha: “O Allah, nëse ky vdes, do të thonë: “Ajo e ka vrarë.” Kur e dërguan për së dyti ose për së treti, mbreti tha: “Betohem në Allahun se nuk më keni sjellë tjetër veçse shejtan. Kthejani Ibrahimit dhe kësaj jepjani Haxheren.” Sara u kthye tek Ibrahimi ﷺ dhe i tha: “A nuk e pe sesi Allahu e poshtëroi jobesimtarin dhe ne na furnizoi me një shërbëtore?!””