“Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Jusuf ibn Maxhishuni, e ky nga Salih ibn Ibrahim ibn Abdurrahman ibn Aufi, e ky nga babai i tij, e pastaj nga gjyshi i tij se Abdurrahman ibn Aufi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I shkrova letër Umeje ibn Halefit të ma ruante pasurinë dhe familjen time në Mekë, që unë t'ia ruaja atij pasurinë dhe familjen në Medinë. Kur ia përmenda (emrin e Allahut) Errahman, ai më tha: “Unë nuk e njoh (emrin e Allahut) Errahman. Më shkruaj me emrin tënd, që e ke pasur para Islamit.” Pastaj i shkrova (duke ia përmendur emrin tim të vjetër) Abduamër. Kështu, ditën e Bedrit, kur njerëzit kishin fjetur, dola ta ruaja, por Bilali e pa dhe shkoi te një grup ensarësh e u tha: “(E pashë) Umeje ibn Halefin. Mos qofsha gjallë nëse shpëton Umeja!” Atij iu bashkëngjitën edhe disa ensarë në kërkim tonin. Kur pashë se po na arrinin, e lashë mbrapa të birin e tij (Umejës), që t'i angazhonte. Ata e vranë dhe vazhduan të na ndiqnin me ngulm. Umeje ka qenë njeri i rëndë dhe, kur na zunë, i thashë: “Gjunjëzohu!” Pasi u gjunjëzua, iu hodha përmbi, që ta mbroja, por, poshtë meje, ata e sulmuan me shpata, derisa e vranë, saqë njëri prej tyre ma plagosi këmbën me shpatë. (Ibrahimi, i biri i Abdurrahmanit thotë:) Ndonjëherë Abdurrahman ibn Aufi na e tregonte shenjën në shpinën e këmbës. Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Jusufi e ka dëgjuar këtë nga Salihu, kurse Ibrahimi nga babai i vet.””