“Othman ibn Hejthem Ebu Amri na ka thënë: Na ka treguar Aufi, e ky nga Muhamed ibn Sirini se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më autorizoi ta ruaja sadakanë e Ramazanit (fitrit). Kështu, një person kishte ardhur dhe kishte filluar të merrte ushqim (nga sadakaja e fitrit), por unë e zura dhe i thashë: - Do të të çoj tek i Dërguari i Allahut ﷺ. - Jam nevojtar, kam familje dhe jam në gjendje të vështirë, - më tha, andaj e lëshova. Në mëngjes Pejgamberi ﷺ më tha: - “O Ebu Hurejre, si u bë puna me atë që e zure mbrëmë?” - O i Dërguari i Allahut, m'u ankua se është në gjendje të vështirë dhe se ka familje, kështu që e mëshirova dhe e lirova. - “Dije se të ka gënjyer dhe do të kthehet sërish”, - më tha Pejgamberi ﷺ. E dija se do të vinte sërish, ngase vetë i Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “... do të kthehet sërish.” Kështu, fillova ta vëzhgoja. Sërish e gjeta duke marrë ushqim, andaj e zura dhe i thashë: - Do të të çoj te Pejgamberi ﷺ. - Më lësho, se jam nevojtar dhe kam familje e nuk do ta përsëris më, - më tha, andaj, nga mëshira, e lëshova. Në mëngjes Pejgamberi ﷺ më tha: - “O Ebu Hurejre, si u bë puna me atë që e zure?” - O i Dërguari i Allahut, m'u ankua se është në gjendje të vështirë dhe se ka familje, andaj e mëshirova dhe e lirova. - “Dije se të ka gënjyer dhe do të kthehet sërish”, - më tha Pejgamberi ﷺ. Së treti fillova ta vëzhgoja dhe sërish e gjeta duke marrë ushqim, e zura dhe i thashë: - Do të të çoj tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ngase kjo është hera e tretë që po thua se nuk do ta përsërisësh, ndërkohë vazhdon ta përsërisësh. - Më lësho, që të të mësoj diçka me të cilën Allahu do të të bëjë dobi, - më tha ai. - Çfarë është ajo? - e pyeta. - Kur të shtrihesh në shtrat, lexoje Ajetin Kursi deri në fund: “Allahu! S'ka të adhuruar të denjë përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje!” (Bekare, 255) Kështu, do të të ruajë një rojtar i Allahut dhe nuk do të të afrohet asnjë shejtan deri në mëngjes, - më tha ai, andaj e lirova. Në mëngjes, Pejgamberi ﷺ më tha: - “Si u bë puna me atë që e zure mbrëmë?” - O i Dërguari i Allahut, më premtoi se do të më mësonte diçka me të cilën Allahu do të më bëjë dobi, andaj e lirova. - “Çfarë është ajo?” - pyeti Pejgamberi ﷺ. - Më tha: “Kur të shtrihesh në shtrat, lexoje Ajetin Kursi deri në fund: “Allahu! S'ka të adhuruar të denjë përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje!” Kështu, do të të ruajë një rojtar i Allahut dhe nuk do të të afrohet asnjë shejtan deri në mëngjes. - “Ta ka thënë të vërtetën, edhe pse është gënjeshtar i madh. A e di, o Ebu Hurejre, se me kë ke folur këto tri net?” - Jo, - i thashë. - “Me shejtanin”, - më tha Pejgamberi ﷺ.”