“Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Ebu Damra, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ u ka treguar: “Tre persona dolën për rrugë dhe i zuri shiu, andaj u strehuan në shpellën e një kodre. Papritmas, një gur u rrokullis nga kodra dhe ua mbylli daljen e shpellës e në atë rast i thanë njëri-tjetrit: “Shikoni ndonjë vepër të mirë që keni punuar për hir të Allahut e luteni Allahun me të, me shpresë se do të na shpëtojë nga kjo (gjendje) .” Atëherë njëri tha: “O Allah! Prindërit e mi kanë qenë të thyer në moshë, ndërsa fëmijët e mi kanë qenë të vegjël. Unë dilja për t'i kullotur bagëtitë dhe, kur kthehesha, i milja dhe qumështin ua dërgoja prindërve për të pirë para fëmijëve. Një natë, u vonova dhe, pasi u ktheva, pashë se prindërit kishin fjetur. I mola delet, si çdoherë, dhe shkova afër tyre. Urreja t'ua prishja gjumin, por, njëherazi, nuk kisha dëshirë t'u jepja qumësht fëmijëve para tyre, ndërkohë fëmijët qanin para këmbëve të mia. Kështu qëndrova deri në mëngjes (kur ata u zgjuan) . Nëse këtë e kam bërë për ta fituar kënaqësinë Tënde, na hap një vrimë, që ta shohim qiellin.” Kështu, Allahu ua hapi një vrimë sa për ta parë qiellin. Tjetri tha: “O Allah! Kam pasur një vajzë xhaxhai, të cilën e doja sikurse mashkulli që dashuron shumë një femër. Kërkova prej saj (që të vetmohesha me të) , por ajo refuzoi, përveç nëse ia jepja njëqind dinarë. Rrjedhimisht, punova derisa i mblodha paratë, por, kur u shtriva me të, më tha: “O rob i Allahut, kije frikë Allahun dhe mos ma prish virgjërinë pa kontratë martesore!”, andaj u largova. Prandaj nëse këtë e kam bërë për ta fituar kënaqësinë Tënde, na e hap daljen!” Kështu, guri lëvizi edhe pak. I treti tha: “O Allah! Unë pata marrë një punëtor me pagesë kundrejt një shporte oriz dhe, kur e kreu punën, më tha: “Ma jep hakun tim!” Unë ia dhashë, por ai nuk e mori. Unë punova dhe atë oriz e mbolla në vazhdimësi, derisa bleva shumë lopë dhe barinj. Pas një kohe, u kthye dhe më tha: “Kije frikë Allahun!” - Shko dhe merri ato lopë e ata barinj, - i thashë. - Kije frikë Allahun dhe mos u tall me mua! - më tha ai. - Nuk po tallem me ty, por merri! - i thashë. Kështu, i mori të gjitha. Nëse këtë e kam bërë për ta fituar kënaqësinë Tënde, na e hap pjesën e mbetur të daljes. Atëherë, Allahu ua hapi daljen tërësisht.” Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Ibn Ukbe transmeton nga Nafiu: “nxitova”.””