“Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Po thonë se Ebu Hurejra e ka tepruar së transmetuari hadithe, mirëpo do të dalim para Allahut. Po ashtu po thonë: “Ç'është puna e muhaxhirëve dhe ensarëve, ata nuk po transmetojnë hadithe si ai?” Vëllezërit muhaxhirë ishin të zënë nëpër tregje me shitblerje, kurse vëllezërit ensarë ishin të zënë me punët e fushës, ndërkaq unë kam qenë një i ngratë që i shkoja pas të Dërguarit të Allahut ﷺ barkthatë. Isha i pranishëm kur ata mungonin dhe i mbaja në mend gjërat që ata i harronin. Një ditë Pejgamberi ﷺ tha: “Nëse dikush e shtron rrobën e vet derisa t'i kryej këto fjalë, e pastaj e merr dhe e vesh, asnjëherë nuk do të harrojë asnjë fjalë timen.” Unë shtrova një këmishë, përveç së cilës nuk kisha rrobë tjetër, derisa Pejgamberi ﷺ i kreu fjalët e tij, e pastaj e vesha. Betohem në Atë, që e ka dërguar me të vërtetën, se prej asaj dite deri më sot nuk kam harruar asnjë fjalë të Pejgamberit ﷺ. Betohem në Allahun se, sikur të mos ishin dy ajete në Librin e Allahut, kurrë nuk do t'ju kisha transmetuar asnjë hadith: “Me të vërtetë, ata që fshehin shpalljet Tona të qarta, pasi ua kemi shpjeguar njerëzve në Libër (Tevrat), do të mallkohen nga Allahu dhe do të mallkohen nga ata (melekë e njerëz) që janë ngarkuar të mallkojnë. Mirëpo atyre që pendohen, përmirësohen dhe tregojnë atë që kishin fshehur, Unë ua pranoj pendimin, sepse Unë jam Pranuesi i pendimeve dhe Mëshirëploti.” (Bekare, 159-160)”