“Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Malik ibn Enesi, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ebu Salih Semani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kuajt, për dikë janë shpërblim, e për dikë mburojë, ndërsa për dikë janë mëkat . Shpërblim janë për atë që rezervon kalin për luftë në rrugën e Allahut dhe, kur e lidh në kullosë ose kopsht, ia lë litarin të gjatë. Çfarëdo që ha nga kullosa ose kopshti, i llogaritet shpërblim pronarit. Nëse ndodh ta këpusë litarin dhe të ikë një ose dy kodra larg, fërkemet dhe bajgat e tij, i llogariten shpërblim pronarit. Nëse kalon pranë lumit dhe pi, pa dashur pronari t'i japë ujë, sërish, i llogaritet shpërblim pronarit. Pra, kështu kuajt llogariten shpërblim (për pronarin). Ndërkaq, ai që mban kalë, për qëllime personale fitimprurëse, por nuk e harron hakun e tyre; për shpinën (kalërimin) dhe kokat (zekatin) e tyre, me të cilin Allahu e ka ngarkuar, i llogaritet mburojë për të (nga varfëria). E, ai që mban kalë nga krenaria, syefaqësia dhe e shfrytëzon në armiqësi të muslimanëve, i llogaritet mëkat.” I Dërguari i Allahut ﷺ është pyetur për gomarët dhe është përgjigjur: “Nuk më ka zbritur shpallje që flet konkretisht për këtë, përveç këtyre ajeteve të përgjithshme e të pashoq: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë. E kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Zelzele, 7-8)”