“Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hishami, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Shihabi, e ky nga Ali ibn Husejn ibn Aliu, e ky nga babai i tij Husejn ibn Aliu se Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “I Dërguari i Allahut ﷺ më ndau një deve prej plaçkës së Luftës së Bedrit. Më vonë më dha edhe një deve tjetër. Një ditë, i mora dhe shkova te një ensar, për të bartur idhhir për shitje. Me vete kisha një argjendar të fisit benu kajnuka. Doja që paratë e fituara t'i shfrytëzoja në dasmë me Fatimen. Hamza ibn Abdulmutalibi ishte duke pirë alkool në po të njëjtën shtëpi ku ndodhej një shërbëtore këngëtare, e cila tha: “O Hamza, po kalojnë dy deve të majme!” Hamzai u ngrit me vrull drejt tyre me shpatë, ua këputi gungat, ua shqeu barqet dhe ua nxori mushkëritë. Pashë një pamje që më tmerroi, andaj shkova te Pejgamberi ﷺ, me të cilin ishte edhe Zejd ibn Harithe, dhe ia tregova ngjarjen. Ai doli së bashku me Zejdin, e unë pas tyre, dhe shkoi te Hamzai, të cilin e qortoi rreptë. Hamzai e ngriti shikimin dhe tha: “A mos vallë, jeni diç tjetër përveçse robër të paraardhësve të mi?” Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ u tërhoq mbrapa derisa doli nga shtëpia. Kjo ka ndodhur para se alkooli të bëhej haram.”