“Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Katadja se Safvan ibn Muhriz Maziniu tregon: “Teksa po ecja me Ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të kapur për dore, na doli përpara një burrë dhe tha: - E ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ çfarë ka thënë për momentet kur Allahu e veçon robin dhe i flet në vetmi (Ditën e Gjykimit)? Abdullah ibn Omeri iu përgjigj: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Allahu do ta afrojë besimtarin, do t'ia vendosë sipër Mbulesën e Tij, duke e mbuluar, dhe do t'i thotë: - A po të kujtohet filan mëkati? A po të kujtohet filan mëkati? - Po, o Zoti im! - i përgjigjet robi. Do ta pyesë kështu, derisa t'i pranojë të gjitha mëkatet dhe të mendojë se tanimë është shkatërruar. Allahu do t'i thotë: “T'i kam mbuluar në dynja, ndërsa sot po t'i fal të gjitha.” Pastaj ia jep librin e veprave të mira. Ndërkaq, sa u përket jobesimtarëve dhe hipokritëve, dëshmitarët do të thonë: “Këta gënjenin kundër Zotit të tyre. Mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtët!” (Hud, 18)”