“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Ebu Thevri se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Gjithmonë doja ta pyesja Omerin rreth dy grave të Pejgamberit ﷺ, për të cilat Allahu ka thënë: “Nëse ju të dyja ktheheni të penduara tek Allahu, sepse vërtet që zemrat tuaja patën devijuar...” (Tahrim, 4) Kështu, shkova në haxh me të dhe, gjatë rrugës, ai u ndal diku, e unë i shkova pas me një kovë ujë. Ai e kreu nevojën dhe, kur u kthye, i hodha ujë në duar për të marrë abdes. I thashë: “O prijës i besimtarëve, cilat janë dy gratë e Pejgamberit ﷺ, të cilave Allahu u është drejtuar në Kuran duke u thënë: “Nëse ju të dyja ktheheni të penduara tek Allahu, sepse vërtet që zemrat tuaja patën devijuar...” ? (Tahrim, 4) Ai tha: “Çudi me ty, o Ibn Abas! Aishja dhe Hafsa.” Pastaj filloi ta tregojë tërë hadithin dhe tha: “Unë dhe një fqinj imi ensar banonim në territorin e fisit të Umeje ibn Zejdit, - territor ky në periferi të Medinës. - Ndërroheshim me njëri-tjetrin për të qëndruar me Pejgamberin ﷺ: një ditë shkonte ai, ditën tjetër unë. Kur shkoja, ia sillja atij ndodhitë e asaj dite, urdhrat e Pejgamberit ﷺ dhe gjërat e tjera. Njëjtë vepronte edhe ai. Ne, kurejshët, i mbizotëronim gratë, por, kur erdhëm tek ensarët, i gjetëm gratë t'i mbizotëronin burrat. Kështu, gratë tona filluan të marrin nga sjelljet e grave të ensarëve. Një ditë, ia ngrita zërin gruas, ndërsa ajo ma ktheu fjalën. Ia tërhoqa vërejtjen që të mos ma kthejë fjalën, por ajo më tha: “Vallë, pse po ma tërheq vërejtjen të ta kthej fjalën? Betohem në Allahun se edhe gratë e Pejgamberit ﷺ ia kthejnë fjalën atij. Madje, ndodh që ndonjëra t'i hidhërohet tërë ditën, deri në mbrëmje.” Kjo gjë më frikësoi dhe thashë: “Ka humbur shumë ajo që ka kryer një vepër kaq të madhe!” Pastaj u vesha dhe shkova te Hafsa e i thashë: - Oj Hafsë, vallë, a ndodh që ndonjëra prej jush të hidhërohet me të Dërguarin e Allahut ﷺ tërë ditën, deri në mbrëmje? - Po, - tha ajo. - Ka dështuar dhe është shkatërruar! A ndihet e sigurt se Allahu nuk do të hidhërohet me të, për shkak të hidhërimit të të Dërguarit të Tij ﷺ, dhe me këtë të shkatërrohet? Mos e tepro me Pejgamberin ﷺ, as mos ia kthe fjalën, as mos u hidhëro me të! Nëse të nevojitet diçka, ma kërko mua. Mos u mashtro me ortaken tënde, sepse ajo është më e bukur dhe më e dashur tek i Dërguari i Allahut ﷺ sesa ti,- tha Omeri, - duke aluduar në Aishen. Atëkohë flitej se fisi gasan po përgatitej për të na sulmuar. Fqinji im shkoi ditën kur e kishte radhën dhe u kthye në mbrëmje duke trokitur fort derën e shtëpisë sime dhe duke pyetur: - A është aty (Omeri)? Unë u frikova, andaj dola me shpejtësi, e ai më tha: - Ka ndodhur diçka e madhe! - Çfarë është? - i thashë. - Mos vallë ka ardhur fisi gasan? - Jo, diçka më e madhe. I Dërguari i Allahut ﷺ ka shkurorëzuar gratë e veta. - Ah, mjerë Hafsa, qenka shkatërruar! Frikësohesha se do të ndodhte kjo, - thashë. Më pas u vesha mirë dhe shkova për ta falur namazin e sabahut me Pejgamberin ﷺ, i cili pas namazit hyri në një dhomë të vogël, ku rrinte gjatë kohës sa i kishte braktisur gratë e veta. Shkova te Hafsa, të cilën e gjeta duke qarë, dhe i thashë: - Pse po qan? A nuk ta kam tërhequr vërejtjen? A ju shkurorëzoi Pejgamberi ﷺ? - Nuk e di, ai ndodhet atje në dhomë, - tha ajo. Kështu, shkova te minberi, ku pashë ca burra rreth tij, madje disa prej tyre qanin. Qëndrova pak me ta, por nuk munda të ndihem rehat, andaj shkova te dhoma ku ndodhej Pejgamberi ﷺ dhe i thashë një shërbëtori zezak: “Kërkoji leje Pejgamberit ﷺ për Omerin.” Ai hyri dhe foli me Pejgamberin ﷺ, pastaj doli dhe tha: “I tregova për ty, por nuk tha gjë.” Kështu, u largova dhe shkova sërish për t'u ulur me atë grupin te minberi. Por, sërish nuk isha i qetë, andaj shkova dhe i thashë shërbëtorit, - e ai ma ktheu të njëjtën përgjigje. - Shkova sërish për t'u ulur me atë grupin te minberi, por sërish nuk isha i qetë, andaj shkova te shërbëtori dhe i thashë: “Kërko leje për Omerin!”, - por ai sërish ma ktheu përgjigjen e njëjtë. Kur u nisa të largohem, shërbëtori më thirri dhe më tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ të dha leje!” Hyra dhe e gjeta të shtrirë mbi një hasër, pa shilte, ndërsa shenjat e hasrës i kishin lënë gjurmë në trup. Kokën e kishte mbështetur në një jastëk lëkure të mbushur me kashtë. I dhashë selam dhe, duke qenë në këmbë, i thashë: “I ke shkurorëzuar gratë?” Ai më shikoi dhe më tha: "Jo.” Pastaj, për t'ia zbutur zemrën, i thashë: “O i Dërguari i Allahut, sikur të më kishe parë mua! Ne, kurejshët, i mbizotëronim gratë, por erdhëm te ky popull që mbizotërohen nga gratë...” - ia përmenda ndodhinë time (me gruan time), ndërsa Pejgamberi ﷺ buzëqeshi. Pastaj vazhdova: “Shkova te Hafsa dhe i thashë: “Mos u mashtro me ortaken tënde, sepse ajo është më e bukur dhe më e dashur te Pejgamberi ﷺ se ti”, - aludonte në Aishen, - ndërsa Pejgamberi ﷺ buzëqeshi sërish. Kur e pashë të buzëqeshë, u ula dhe fillova të shikoj shtëpinë e tij. Betohem në Allahun se nuk kishte çfarë të shikoje, përveçse tri orendi prej lëkure. Teksa ishte shtrirë, i thashë: “Lute Allahun t'ia shtojë rrizkun umetit tënd, sepse persianëve dhe romakëve u është shtuar, si dhe u është dhënë dynjaja, ndërkohë ata nuk e adhurojnë Allahun.” Teksa po qëndronte i mbështetur më tha: “Mos vallë po dyshon, o Ibn Hatab? Atyre u janë përshpejtuar mirësitë në jetën e dynjasë.” I thashë: “O i Dërguari i Allahut, kërkoji falje Allahut për mua.” Pra, Pejgamberi ﷺ i braktisi gratë, për shkak të asaj bisedës që Hafsa ia tregoi Aishes fshehurazi, dhe kishte thënë: “Nuk do të shkoj tek ato për një muaj rresht” , për shkak të hidhërimit që kishte ndaj tyre, sepse Allahu e kishte qortuar për këtë gjë. Kur kaluan njëzet e nëntë net, shkoi tek Aishja dhe filloi prej saj. Aishja i tha: “Ti je betuar se nuk do të vije te ne një muaj, ndërsa tani kanë kaluar vetëm njëzet e nëntë net, të cilat po i numëroj një nga një.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Muaji ndodh të jetë njëzet e nëntë (net) .” Ai muaj qe njëzet e nëntë net. Aishja tha: “Atëherë zbriti ajeti i zgjedhjes dhe kështu filloi prej meje dhe më tha: “Po të përmend një gjë, por nuk ke nevojë të ngutesh (për të marrë vendim) pa i pyetur prindërit.” - Unë e di mirë që prindërit e mi nuk më thonë të ndahem prej teje, - tha Aishja. - Allahu ka thënë: “O Pejgamber! Thuaju grave tuaja: “Nëse dëshironi jetën e kësaj bote dhe shkëlqimin e saj, ejani, unë do t'ju lë të kënaqeni për ca kohë dhe do t'ju lëshoj si është më mirë. Por, nëse dëshironi Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën tjetër, dijeni se Allahu ka përgatitur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë vepra të mira” , (Ahzab, 28-29) - tha Pejgamberi ﷺ. - A për këtë t'i pyes prindërit? Unë e zgjedh Allahun, të Dërguarin e Tij dhe jetën e ahiretit, - tha Aishja. Pastaj, shkoi te të gjitha gratë dhe ua paraqiti këtë zgjedhje dhe të gjitha thanë njëjtë, sikurse Aishja.”