“Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Ebu Seidi, e ky nga Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte në shtëpinë e njërës prej grave të tij, një grua tjetër, prej nënave të besimtarëve (grave të Pejgamberit ﷺ), i dërgoi një enë me ushqim nëpërmjet shërbëtorit. Kjo e para i mëshoi me dorë dhe e theu enën (nga xhelozia). Pejgamberi ﷺ u ul, i mblodhi pjesët e thyera të enës, ku e rivendosi ushqimin dhe u tha (sahabëve të pranishëm): “Hani!” Ai nuk e la shërbëtorin të kthehej, derisa përfunduan së ngrëni, pastaj enën e thyer e mbajti, ndërsa shërbëtorit në fjalë i dha një enë tjetër (për t'ia kthyer asaj që e kishte dërguar).” Ibn Ebu Merjemi ka thënë: “Na ka rrëfyer Jahja ibn Ejubi, e këtij i ka treguar Humejdi, e këtij i ka treguar Enesi nga Pejgamberi ﷺ.””