“Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Hazimi, e ky nga Muhamed ibn Sirini se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Në mesin e benu israilëve ishte një burrë që quhej Xhurejxh. Njëherë, teksa falej, i vajti e ëma për ta thirrur, por ai nuk iu përgjigj. Thoshte me vete: “T'i përgjigjem apo të vazhdoj të falem?” Pastaj i vajti sërish dhe sakaq ajo tha: “O Allah, mos ia merr shpirtin pa i parë fytyrat e të përdalave!” Ndërsa Xhurejxhi qëndronte në faltoren e vet, një grua tha: “Do ta sprovoj Xhurejxhin.” Kështu, shkoi dhe i ofroi për të bërë zina, por ai refuzoi. Pastaj ajo shkoi te një bari dhe bëri zina me të, prej të cilit lindi një fëmijë. Filloi të pretendonte se fëmija ishte i Xhurejxhit, kështu që njerëzit shkuan, ia thyen faltoren dhe filluan ta ofendonin. Xhurejxhi mori abdes, u fal dhe shkoi te foshnja e i tha: - Kush është babai yt? - Bariu, - tha foshnja. - Do të ta rindërtojmë faltoren me ar, - i thanë njerëzit. - Jo, vetëm me tulla balte, - u tha Xhurejxhi.””