“Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Vehb ibn Kejsani se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi një ekspeditë në drejtim të bregdetit, me diku treqind burra, në krye të të cilëve e emëroi Ebu Ubejde ibn Xherrahun. U nisëm për rrugë, por, kur arritëm deri diku, na mbaruan rezervat ushqimore. Andaj, Ebu Ubejde urdhëroi të tubohen rezervat e secilit ushtar në një vend, të cilat, përafërsisht, u bënë sa dy bohçe hurma. Çdo ditë na jepte për të ngrënë pak nga pak, derisa edhe kjo rezervë u harxhua, kështu që mbetëm me nga një hurmë në ditë. Vehb ibn Kejsani e pyeti Xhabirin: - Po si mund t'ia dilnit vetëm me një hurmë? - Vetëm pasi u harxhuan të tërat kuptuam sa na kryente punë një hurmë e vetme, - tha Xhabiri. Pastaj vazhdoi: “Kur arritëm buzë detit, hasëm një balenë sa një kodrinë, nga e cila hëngri tërë ushtria për tetëmbëdhjetë net rresht. Pastaj Ebu Ubejde urdhëroi të vendosen dy eshtra të saj e nën to të kalojë një person hipur mbi deve, për të parë vallë a e zinte a jo (gjë të cilën e bënë, për t'u argëtuar e për t'u dëfryer).””