“Abdulaziz ibn Abdullah Amiriu Uvejsi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Urve se e ka pyetur Aishen; Po ashtu Lejthiu ka thënë: Më ka treguar Junusi nga Ibn Shihabi se Urve ibn Zubejri rrëfen se e ka pyetur Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për ajetin: “Nëse keni frikë se nuk mbani drejtësi ndaj jetimeve, atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri ose me katër...” (Nisa, 3) - O biri i motrës sime, është fjala për jetimen, e cila jeton në shtëpinë e kujdestarit të saj dhe njëherazi, me hisen e saj merr pjesë në pasurinë e tij , ndërsa atij i pëlqen pasuria dhe bukuria e saj, andaj dëshiron të martohet me të, pa qenë i drejtë në mehrin ndaj saj dhe nuk ia jep mehrin njëjtë sikurse të tjerët. Prandaj, u është ndaluar të martohen me to, përveç nëse tregohen të drejtë dhe u japin mehër aq sa u takon sipas traditës, ndërsa u është lejuar të martohen me këdo prej grave të tjera. Urve ka thënë: “Pastaj Aishja vazhdoi: “Por, njerëzit sërish e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ (rreth kësaj çështjeje), e në atë rast Allahu e zbriti ajetin: “Ata kërkojnë prej teje (o Muhamed) që t'i sqarosh lidhur me çështjet e grave. Thuaju: “Për çështjet e tyre ju sqarojnë Allahu dhe Libri që ju lexohet, si për femrat jetime, të cilave nuk u jepni dhuratën e caktuar për to, edhe pse dëshironi të martoheni me to...” (Nisa, 127) Në këtë ajet, fjalët e përmendura nga Allahu: “... dhe Libri që ju lexohet...” aludojnë në ajetin e përmendur pak më parë (ajetin e tretë të sures Nisa). Aishja vazhdon: “Ndërkaq, sa i përket fjalës së Allahut në ajetin tjetër: “... edhe pse dëshironi të martoheni me to" (Nisa, 127) aludon se, përderisa dikush prej jush shmanget nga martesa me jetimen që e ka nën përkujdesje, për shkak se ajo posedon pak pasuri dhe nuk është e bukur, atëherë ju është ndaluar që të martoheni me jetimet vetëm për hir të pasurisë dhe bukurisë së tyre, përveç nëse tregoheni të drejtë (në mehër).””