“Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka thënë Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Berira shkoi t'i kërkojë ndihmë për pagesën e lirimit të saj, së cilës ia kishin kërkuar pesë okë argjend të ndarë në këste për pesë vjet. Aishja donte ta lironte, andaj i tha: “Nëse ua paguaj shumën njëherësh, a do të të shisnin pronarët e tu, e unë pastaj të të liroj dhe të më takojë mua merita e çrobërimit tënd?” Berira shkoi te pronarët e vet dhe ua paraqiti ofertën, por ata thanë: “Jo, përveç nëse na mbetet merita e çrobërimit.” Aishja tregon: “Shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe ia përmenda këtë gjë, e në atë rast ai më tha: “Blije dhe liroje, sepse merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.” Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit (ndër njerëz) dhe tha: “Ç'është puna e disa njerëzve që vënë kushte që nuk përkojnë me Librin e Allahut? Atij që kushtëzon diçka që nuk përkon me Librin e Allahut, i refuzohet. Dispozitat e Allahut janë më parësore që të respektohen dhe të përmbushen.””