“Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Berira i vajti t'i kërkojë ndihmë rreth pagesës së lirimit të saj, gjë që, deri atëherë, nuk kishte arritur të paguante asgjë. Aishja i tha: “Shko te pronarët e tu dhe thuaju se, nëse dëshirojnë t'ua bëj tërë pagesën njëherësh, me kusht që merita e çrobërimit tënd të më takojë mua, do ta bëj. Mirëpo, kur Berira ua paraqiti këtë ofertë, ata refuzuan dhe thanë: “Nëse ajo do që ta kryejë pagesën për ty, le ta bëjë, por merita e çrobërimit tënd të na takojë neve.” Aishja ia përmendi këtë gjë të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili i tha: “Blije dhe liroje, sepse merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.” Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit dhe ligjëroi: “Ç'është puna e disa njerëzve që vënë kushte që nuk përkojnë me Librin e Allahut? Atij që kushtëzon diç që nuk përkon me Librin e Allahut, nuk i pranohet, edhe në qofshin njëqind kushte. Dispozitat e Allahut janë më parësore që të respektohen dhe të përmbushen.””