“2695, 2696 - Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e këtij i ka treguar Zuhriu, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Ebu Hurejra dhe Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rrëfejnë: “Një beduin erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, mes nesh gjyko me Librin e Allahut!” Hasmi i tij u ngrit dhe tha: “Mirë e ka, mes nesh gjyko me Librin e Allahut!” Beduini vazhdoi: “Djali im punonte te ky dhe ka bërë zina me gruan e tij.” Më thanë: “Biri yt duhet të dënohet me gurëzim. Djalin tim e shpagova me njëqind dele dhe një robëreshë.” Më pas i pyeta dijetarët dhe më thanë: “Biri yt duhet të ndëshkohet me kamxhik dhe të dëbohet për një vit.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Mes jush do të gjykoj me Librin e Allahut. Sa i përket robëreshës dhe deleve, duhet të të kthehen, ndërsa biri yt duhet të ndëshkohet me kamxhik dhe të dëbohet një vit. Kurse ti, o Unejs, - iu drejtua një burri aty, - shko dhe dënoje gruan e këtij me gurëzim.” Unejsi shkoi dhe e gurëzoi.””