“Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ lidhi marrëveshjen e pajtimit në Hudejbije, Ali ibn Ebu Talibi shkroi një shkresë mes dy palëve.” Aty (mes tjerash) shkroi: “Muhamedi, i Dërguari i Allahut.” Por, idhujtarët thanë: “Mos e shkruaj: “Muhamedi, i Dërguari i Allahut”, sepse, po të ishe i dërguar, nuk do të të luftonim.” Pejgamberi ﷺ i tha Aliut: “Fshije!” Aliu tha: “Nuk mund ta fshij.” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ e fshiu vetë dhe ra dakord që, vitin e ardhshëm, të hyjë së bashku me shokët e vet (në Mekë) për tri ditë, të çarmatosur. E pyetën se çfarë nënkuptonte me çarmatosje, e ai u tha: “Me këllëf dhe çfarë ka në të.””