“Ubejdullah ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ shkoi për umre në muajin dhul kade, por mekasit nuk e lejuan të hynte në Mekë, derisa ra dakord që vitin e ardhshëm të qëndrojë vetëm tri ditë. Teksa po e shkruanin marrëveshjen dhe shkruan: “Muhamedi, i Dërguari i Allahut, ka rënë dakord që...”, idhujtarët thanë: “Nuk pranojmë! Sikur ta dinim se ti je i Dërguari i Allahut, nuk do të të pengonim (për të hyrë), por ti je Muhamedi, i biri i Abdullahut.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Unë jam i Dërguari i Allahut, njëkohësisht Muhamed ibn Abdullahu.” Pastaj i tha Aliut: “Fshije (pjesën) : i Dërguari i Allahut!” - Jo, betohem në Allahun se kurrë nuk e fshij emrin tënd, - iu përgjigj Aliu. Pejgamberi ﷺ e mori letrën dhe e shkroi: “Muhamed ibn Abdullahu ka rënë dakord që: të mos hyjë në Mekë me armë përveçse në këllëf; të mos marrë me vete asnjë banor të saj që dëshiron ta pasojë, si dhe të mos ndalojë asnjë shok të vetin të rikthehet në të (Mekë) .” Pasi hyri dhe kaloi afati i caktuar, idhujtarët vajtën tek Aliu dhe i thanë: “Thuaji shokut tënd të largohet prej këtu, sepse afati ka përfunduar.” Kur Pejgamberi ﷺ doli, e bija e Hamzait iu vu prapa duke i thënë: “O xhaxha, o xhaxha!” Aliu shkoi dhe e mori për dore e i tha Fatimes: “Ja bija e xhaxhait tënd. Merre me vete.” Aliu, Zejdi dhe Xhaferi u grindën për të. Aliu tha: “Unë jam më meritori për ta marrë, sepse është bija e xhaxhait tim.” Xhaferi i tha: “Ajo është bija e xhaxhait tim dhe tezja e saj është gruaja ime.” Zejdi tha: “Ajo është bija e vëllait tim.” Kështu, Pejgamberi ﷺ vendosi që ta marrë tezja e vet dhe tha: “Tezja është në pozitën e nënës.” Aliut i tha: “Ti je pjesë imja dhe unë jam pjesë jotja.” Xhaferit iu drejtua: “Më ke ngjarë në tipare dhe moral.” Ndërkaq, Zejdit i tha: “Ti je vëllai ynë dhe i çrobëruari ynë .””