“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Zubejr ibn Avami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, mes tij dhe një ensariu, i cili kishte qenë pjesëmarrës në Luftën e Bedrit, ishte shkaktuar një zënkë për një rrjedhë uji nga gurishta, me të cilën ujitnin së bashku, prandaj kishin shkuar te Pejgamberi ﷺ. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha Zubejrit: “O Zubejr, ujite kopshtin tënd, pastaj lëshoja ujin fqinjit.” Por, Ensariu u nevrikos dhe tha: “Ngaqë është djali hallës sate, ë?” Të Dërguarit të Allahut ﷺ i ndryshoi fytyra dhe i tha (Zubejrit): “Ujite kopshtin tënd dhe bllokoje ujin derisa kopshti të ngopet mirë!” Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ ia dha Zubejrit hakun që i takonte, ndërsa pak para kësaj i Dërguari i Allahut ﷺ i propozoi Zubejrit një zgjedhje që i përshtatej edhe atij, edhe ensariut. Por, kur ensariu e hidhëroi të Dërguarin e Allahut ﷺ, ai ia dha Zubejrit të drejtën që i përkiste sipas ligjit të drejtë. Zubejri ka thënë: “Betohem në Allahun se ajeti vijues ka zbritur për këtë rast: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjykues për kundërshtitë mes tyre , e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht.” (Nisa, 65)”