“Muhamed ibn Saiku ose Fadël ibn Jakubi transmeton prej tij: Na ka treguar Shejban ibn Muaviu, e ky nga Firasi, e ky nga Shabiu se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se, ditën e Uhudit, i vdiq i ati dhe i la gjashtë bija e një borxh. Ai rrëfen: “Kur erdhi koha e vjeljes së hurmave, shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, ti e di se babai im ka rënë shehid ditën e Uhudit dhe ka lënë pas vetes shumë borxhe. Andaj, kam dëshirë që t'i takosh borxhlinjtë.” Pejgamberi ﷺ tha: “Shko dhe ndaji hurmat, nga një grup për secilin varietet.” Ashtu veprova dhe e thirra. Kur borxhlinjtë e panë, u pezmatuan dhe e shtuan presionin e tyre ndaj meje. Me të parë këtë veprim të tyre, Pejgamberi ﷺ u soll tri herë rreth grumbullit më të madh të hurmave dhe u ul pranë tij e më tha: “Thirri borxhlinjtë e tu!” Pejgamberi ﷺ ia ndau secilit atë që i takonte derisa Allahu deshi që borxhi i babait tim të kryhet i tëri. Ndërkaq, unë, për Allahun, isha i kënaqur që Allahu të më mundësonte shlyerjen e borxhit të babait tim, edhe nëse nuk do të më mbeste asnjë hurmë për t'ua dërguar motrave të mia. Por, për Allahun, të gjithë grumbujt e hurmave shpëtuan, madje, kur e shikoja grumbullin, afër të cilit ishte ulur i Dërguari i Allahut ﷺ, dukej sikur nuk i mungonte asnjë hurmë.””