“2788, 2789 - Abdullah ibn Jusufi na ka treguar nga Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ndonjëherë i Dërguari i Allahut ﷺ shkonte tek Umu Haram bint Milhani, e cila i shtronte ushqim. Umu Harami ka qenë bashkëshortja e Ubade ibn Samitit. Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi tek ajo, e cila i ofroi pak ushqim, e pastaj filloi t'ia përkëdhelë kokën të Dërguarit të Allahut ﷺ, derisa fjeti. Pejgamberi ﷺ u zgjua nga gjumi duke qeshur, andaj ajo e pyeti: “Çfarë po të shtyn të qeshësh, o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Disa persona nga umeti im, të cilët m'u shfaqën duke luftuar në rrugën e Allahut. Kështu, kalojnë nëpërmes këtij deti (e në Xhenet do të jenë) sikurse mbretër të mbështetur nëpër shtretër.” Ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut, lute Allahun të më bëjë prej tyre.” Pejgamberi ﷺ u lut për të dhe sërish e lëshoi kokën (për të fjetur). Por sërish u zgjua duke qeshur. Umu Harami e pyeti sërish: “Çfarë po të bën të qeshësh, o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Disa persona, nga umeti im, m'u paraqitën duke luftuar në rrugën e Allahut” - sikurse herën e parë. Ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut, lute Allahun të më bëjë prej tyre!” Ai tha: “Ti do të jesh prej të parëve.” Vërtet, ashtu ndodhi. Në kohën e Muavi ibn Ebu Sufjanit, Umu Harami ia mësyu detit dhe, posa doli nga deti, u rrëzua nga kafsha e saj dhe vdiq.””