“Jahja ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Fulejhu, e ky nga Hilal ibn Aliu, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu ka marrë përsipër që, çdonjërin që e beson Allahun dhe të Dërguarin e Tij, e fal namazin dhe e agjëron Ramazanin, ta fusë në Xhenet, pa marrë parasysh, nëse ka luftuar në rrugën e Allahut apo ka qëndruar në vendlindje.” Të pranishmit i thanë: “O i Dërguar i Allahut, a t'i përgëzojmë njerëzit?” Ai u tha: “Në Xhenet janë njëqind shkallë që Allahu i ka përgatitur për luftëtarët në rrugën e Allahut. Largësia mes dy shkallëve është sa largësia mes qiellit dhe tokës, andaj, kur t'i luteni Allahut, kërkojani Firdeusin, sepse ai është mesi dhe maja e Xhenetit.” Mendoj se ka thënë: “... mbi të ndodhet Arshi i Rrahmanit (Gjithëmëshirshmit) dhe prej tij burojnë lumenjtë e Xhenetit.” Muhamed ibn Fulejhu transmeton nga babai i tij se (Pejgamberi ﷺ ka thënë): ”... dhe mbi të ndodhet Arshi i Rrahmanit.”