“Muhamed ibn Sinani na ka thënë: Na ka treguar Fulejhu, e këtij i ka treguar Hilali, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ hipi në minber dhe tha: “Gjëja prej së cilës frikësohem për ju, pas meje, është fakti se do t'ju hapen begatitë e Tokës.” Pastaj përmendi bukuritë e dynjasë, njërën pas tjetrës. Një burrë tha: “O i Dërguari i Allahut! A ka mundësi që prej së mirës të vijë e keqja?” Por, Pejgamberi ﷺ heshti, ndërsa ne thamë: “Po i zbret shpallja.” Të gjithë njerëzit heshtnin, sikurse të kishin zbritur zogjtë mbi kokat e tyre. Më pas, ai e fshiu fytyrën e djersitur dhe tha: “Ku mbeti ai që pyeti pak më parë? E mirë po të duket (pasuria) ?” - tri herë, pastaj vazhdoi: “Prej së mirës gjithmonë vjen e mira. Në pranverë sa më shumë që mbin bar i njomë, i cili e mbyt bagëtinë duke e fryrë ose duke e sjellë në prag të ngordhjes, ato aq më shumë hanë, përveç asaj që është mësuar me bar të njomë (atë nuk e dëmton) , (e cila ha) derisa t'i mbushen brinjët, kthehet nga dielli (merr rreze) , bajgos e urinon, dhe prapë kullot. Pasuria është e njomë (e bukur për sy) dhe e ëmbël. I lumtë muslimanit për atë që e fiton me hallall, pastaj e jep në rrugën e Allahut, jetimit, nevojtarit ose udhëtarit! Ndërkaq, ai që fiton pasuri padrejtësisht është sikurse ai që ha e nuk ngopet. Ditën e Kiametit ajo do të jetë dëshmitare kundër tij.””