“Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Jakubi, e ky nga Amri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ i ka thënë Ebu Talhait: “Më gjej një djalosh nga mesi juaj të më shërbejë kur të shkoj në Hajber.” Kështu, Ebu Talhai, më mori mua dhe më uli pas vetes në kafshë. Atëkohë, unë sapo kisha arritur moshën e pubertetit. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ ndalej, unë i shërbeja dhe shpesh e dëgjoja të thoshte: “ Allahume, ini eudhu bike minel hemi vel hazeni, vel axhzi vel keseli, vel buhli vel xhubni, vedalei dejni ve galebeti rrixhali (O Allah, kërkoj mbrojtjen tënde nga brengat, pikëllimi, paaftësia, përtacia, koprracia, frika, rëndimi i borxhit dhe presioni i borxhlinjve) !” Pasi arritëm në Hajber dhe Allahu ia mundësoi çlirimin e kështjellës, të Dërguarit të Allahut ﷺ ia përmendën bukurinë e Safije bint Hujej ibn Ahtabit, së cilës i ishte vrarë bashkëshorti pak pasi qe martuar. Kështu, Pejgamberi ﷺ e zgjodhi për vete dhe me të u nis për rrugë. Kur arritëm në Sedi Sahba, ajo u pastrua nga menstruacionet, andaj i Dërguari i Allahut ﷺ hyri dhëndër me të, urdhëroi të përgatitej një kombinim ushqimesh në një sofër të vogël e pastaj tha: “Thirri ata që i ke afër.” Kështu ishte ceremonia martesore e të Dërguarit të Allahut ﷺ me Safijën. Më pas shkuam në Medinë. E kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke shtruar një rrobë mbi shpinë të devesë, pastaj ulej pranë devesë dhe gjurin e tij e vendoste aty që Safija të vendoste këmbën për të hipur në deve. Kështu vazhduam rrugën derisa arritëm afër Medinës, ku Pejgamberi ﷺ e pa Uhudin dhe tha: “Kjo është kod ër që na do dhe e duam.” Pastaj, shikoi Medinën dhe tha: “O Allah, po shenjtëroj çdo gjë ndërmjet dy pllajave të saj, ashtu siç e pati shenjtëruar Ibrahimi ﷺ Mekën! O Allah, begatoji banorët e saj në mudin dhe sain e tyre!””