“2894, 2895 - Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Jahjai, e ky nga Muhamed ibn Jahja ibn Hibani se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Umu Harami i ka rrëfyer se, një ditë Pejgamberi ﷺ u shtri për të pushuar në shtëpinë e saj dhe, papritmas, u zgjua nga gjumi duke qeshur, andaj ajo e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë po të bën të qeshësh?” Ai tha: “U habita me disa njerëz nga umeti im, të cilët do t'ia mësyjnë detit (e në Xhenet do të jenë) sikurse mbretër të mbështetur nëpër shtretër.” Ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut, lute Allahun të më bëjë prej tyre.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Ti do të jesh prej tyre.” Pastaj fjeti dhe sërish u zgjua duke qeshur, sikurse herën e parë, dy-tri herë. I thashë: “O i Dërguari i Allahut, lute Allahun të më bëjë prej tyre!” Ai tha: “Ti do të jesh prej të parëve.” Vërtet, ashtu ndodhi. Umu Harami u martua me Ubade ibn Samitin, i cili e mori me vete në luftë dhe, gjatë kthimit, i afruan një kafshë për të hipur. Kështu, ajo u rrëzua, e në atë rast e theu qafën.”