“Is'hak ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Xheriri, e ky nga Mugire, e ky nga Shabiu se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ shkova në një betejë (dhe gjatë kthimit), Pejgamberi ﷺ më erdhi afër teksa isha i hipur mbi një deve tonën, që e përdornim për punë fushe, e cila ishte lodhur dhe mezi ecte. Pejgamberi ﷺ pyeti: “Çfarë ka deveja?” - Është lodhur, - i thashë. Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ i doli mbrapa, e ngërmoi dhe bëri dua për të. Dhe që aty, ajo vazhdimisht ecte para karvanit. Pastaj më pyeti: “Si po të duket deveja?” I thashë: “Mirë, e ka kapluar bereqeti yt.” Pejgamberi ﷺ më pyeti: “Do të ma shesësh?” Unë u turpërova, por nuk kishim deve tjetër për punë fushe. I thashë: “Po.” Ai më tha: “Atëherë po ta blej.” Ia shita me kusht që ta shaloj deri në Medinë. I thashë: “O i Dërguari i Allahut, jam bërë dhëndër rishtazi.” I kërkova leje të shpejtoj dhe ai më lejoi, andaj e tejkalova karvanin dhe, me të arritur në Medinë, e takova dajën tim, i cili më pyeti rreth devesë. Unë i tregova ç'kisha bërë dhe ai më qortoi. Kur i kërkova leje të Dërguarit të Allahut ﷺ, ai më pyeti: “Je martuar me ndonjë të virgjër apo me të ve?” I thashë: “Me të ve.” Ai më tha: “Pse s'u martove me ndonjë të virgjër, që të dëfreheshe me të dhe ajo me ty.” Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, babai më ka rënë shehid, ndërsa unë kam disa motra të reja, andaj nuk doja të martohesha me dikë të moshës së tyre e të mos dijë t'i edukojë dhe që nuk kujdeset për to. Prandaj, u martova me një të ve, që të kujdeset dhe t'i edukojë ato.” Kur i Dërguari i Allahut ﷺ mbërriti në Medinë, shkova dhe ia dërgova devenë, ndërsa ai m'i dha të hollat për deve dhe ma ktheu devenë. Mugire ka thënë: “Sipas gjykimit tonë, kjo (lloj shitblerjeje) nuk prish punë.””