“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Junusi, e këtij i ka rrëfyer Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, ditën e çlirimit të Mekës, i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi i hipur mbi devenë e tij së bashku me Usame ibn Zejdin. Me të ishte edhe Bilali e Othman ibn Talhai prej kujdestarëve të Qabesë. I Dërguari i Allahut ﷺ e uli devenë në xhami dhe e urdhëroi Othmanin t'ia sjellë çelësin e Qabesë. Ai e hapi dhe i Dërguari i Allahut ﷺ së bashku me Usamen, Bilalin dhe Othmanin hynë në Qabe. Aty qëndroi një pjesë goxha të gjatë të ditës dhe, kur doli, njerëzit nxitonin se kush të hynte brenda. Abdullah ibn Omeri ishte i pari që hyri, ku e gjeti Bilalin të qëndronte mbrapa derës dhe e pyeti: “Ku u fal i Dërguari i Allahut ﷺ?” Ai i tregoi vendin ku ai u fal. Abdullahu thotë: “Harrova ta pyes për numrin e rekateve se sa i ka falur.””